Arbëri

Dogana s’pajtohet me qëndrimet e qytetarëve se ky institucion po korruptohet

Pak kohë pas marrjes së një numri vërejtjesh nga Komisioni Evropian nëpërmjet Raportit të Progresit, Dogana e Kosovës ka filluar të mos shihet me sy të mirë edhe nga qytetarët.

Kjo është vërejtur në raportin “Pulsi Publik”, i realizuar nga UNDP-ja dhe USAID-i, i cili tregon rritje të perceptimit për korrupsion në këtë institucion, raporton KTV.

Rritja është shënuar nga 23, sa ka qenë vitin e kaluar, në 39 për qind.

Por, vetë drejtori i Doganës, Bahri Berisha, mohon që institucioni që ai drejton të jetë i korruptuar.

Raporti i Progresit pati vlerësuar se Kosova ka përgatitje mesatare në fushën e doganave, duke kërkuar përforcime shtesë për zvogëlimin e ekonomisë së zezë.

Berisha thotë se i kanë marrë parasysh këto vërejtje dhe se janë krijuar grupet punuese, të cilat do të bëjnë edhe ndryshimin e Kodit Doganor për ta harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian.

Oda amerikane, e cila e monitoron punën e doganave, thotë se megjithatë në 3 – 4 vjetët e fundit ka rënë korrupsioni në dogana.

Ndërsa, përmes një përgjigjeje elektronike në Ministrinë e Financave kanë thënë se kanë marrë veprime konkrete përmes reformës fiskale ligjore me qëllim të ndryshimit të qasjes së institucioneve ndaj bizneseve dhe që të ketë sa më pak fshehtësi te zyrtarët.