Vlerësim jo i mirë i është bërë Kosovës në Raportin e Progresit për këtë vit në fushën e sundimit të ligjit. Kosova ka shënuar progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, e përmirësim të vogël në efikasitetin e gjyqësorit. Kritikat i janë drejtuar sidomos trajtimit të rasteve të nivelit të lartë, moskonfiskimit të aseteve të paligjshme dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit
Progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit ka konstatuar Komisioni Evropian në vlerësimin e fundit për Kosovën. Në Raportin e Progresit të këtij komisionit për këtë vit theksohet se korrupsioni në Kosovë mbetet çështje shqetësuese serioze.
Shqetësuese në dy pjesë të raportit konsiderohet largimi i shefit të Departamentit Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës apo e njohur si Task-Forca, Shemsi Haziri. Kjo njësi, në kohën sa Haziri ishte në krye të saj, ka udhëhequr me aksionet për hetimin e rasteve korruptive ndaj Nagip Krasniqit dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Nga kjo njësi, Hazirin e kanë transferuar në Njësitin Antidrogë.
Me largimin e tij nga ky njësitë, thuhet se është dërguar “sinjal negativ në përkushtimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin”.
“Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze. Aty është nevoja për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Ne ketë aspekt, largimi i shefit të Njësisë Speciale Hetimore të Policisë së Kosovës është shqetësues duke dërguar një sinjal negativ për përkushtimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin”, thuhet në raport.
Sipas raportit, reformat në strukturën organizative të policisë duhet të sigurojë që Njësia që është drejtuar nga Haziri të ketë kapacitet të mjaftueshëm hetimor në mënyrë që të përmbushë me efikasitet funksionet e tij.
“Kreu i Njësisë u largua nga kjo pozitë për t'u emëruar në një post tjetër këtë vit. Ky ndryshim është shkak për shqetësim. Është thelbësore që integriteti i hetimeve në vazhdim të ruhet dhe se kapacitetet hetuese të Policisë së Kosovës për antikorrupsion janë të pavarura dhe të paanshme”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Kosova është në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mirë.
“Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë progres të kufizuar, pavarësisht rritjes së raportit të produktivitetit të seancave gjyqësore, një ritëm më i shpejtë në caktimin e seancave gjyqësore dhe përmirësime në rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Situata e burimeve njerëzore dhe organizimi e administrata në të gjithë gjyqësorin mbetet e prekur nga joefikasiteti”.
Kritika ka edhe për moszbatimin e ligjeve në funksion të luftimit të korrupsionit, përfshirë atë për konfiskimin, duke vlerësuar se vlera e aseteve të konfiskuara mbetet e ulët.
“Kuadri ligjor për konfiskimin penal është i drejtavancuar, duke përfshirë Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit. Megjithatë ligjet mbesin kryesisht të pazbatuara dhe vlera e aseteve të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Duhen përpjekje të vazhdueshme për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve. Dënimet plotësuese që ndalojnë ushtrimin e funksioneve ose profesioneve të tjera, veçanërisht për ata që janë dënuar për vepra të lidhura me korrupsionin, nuk zbatohen mjaftueshëm”, thuhet në raport.
Sipas raportit, me gjithë rritjen e numrit të prokurorëve, Departamenti për Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale, vazhdon të ketë vështirësi për shkak të ngarkesës së punës.
“Ka mbi 1000 raste të krimeve të luftës në pritje, kryesisht të trashëguara nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në vitin 2018. Ka nevojë për trajnim të vazhdueshëm dhe staf mbështetës, në veçanti për bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorisë. Ndihma e ndërsjellë juridike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rastet e krimeve të luftës mbetet e vështirë”.
Sipas raportit, efikasiteti i sistemit gjyqësor është përmirësuar pak, derisa kritika ka për kohën që iu duhet institucioneve për zgjidhjen e lëndëve. Sfidë vlerësohet edhe trajtimi në kohë i rasteve të profilit të lartë e atyre të ndjeshme.
“Kjo është për shkak të të shtyrjeve të gjata, mekanizmave të pamjaftueshëm për të shmangur kohëzgjatjen e tepërt të rasteve, mungesa e mjeteve juridike efektive kur kohëzgjatja e gjykimeve shkon përtej një kohe të arsyeshme, dhe menaxhimi i pamjaftueshëm i rasteve. Gjatë periudhës raportuese, tre prokurorë dhe një gjyqtar kërkuan mbrojtje të afërt nga policia. Pas vlerësimit të rrezikut, vetëm një prokurori iu dha mbrojtje”.
Lidhur me procesin e vettingut të nisur nga Qeveria e Kosovës kërkohet që të merren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, përmendur këtu nevojën për gjetjen e ndërmarrjes së masave alternative në vend të një vettingu në shkallë të gjerë.
“Këto duhet të përfshijnë, përmes ndryshimeve legjislative, ngritja e ‘njësive verifikuese’ brenda Këshillave (Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor), duke e shfrytëzuar më aktivisht deklarimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke siguruar që janë bërë kontrollet e duhura dhe se parregullsitë në deklaratat e pasurisë përfundimisht shkaktojnë masa disiplinore domethënëse”.
Në raport përmendet edhe mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit. Emërimi i tij konsiderohet i vonuar, derisa një gjë e tillë, sipas raportit ndikon në shkaktimin e një pasigurie, që dëmton funksionimin e institucioneve. Në lidhje me Këshillin Prokurorial kërkohet që Kosova të sigurojë marrjen parasysh të rekomandimeve të Komisionit të Venecias në ndryshimin e Ligjit për KPK-në.
“Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit është në pritje që nga prilli i vitit 2022 dhe është i vonuar. BE dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, si dhe shoqëria civile, shprehën publikisht zhgënjimin mbi mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e përzgjedhjes. Procedimet e gjata kanë shkaktuar një gjendje pasigurie, e cila dëmton funksionimin e institucioneve. Kuvendi duhet të shtojë përpjekjet për të siguruar emërimin në kohë të Këshillit, pasi ka vonesa të vazhdueshme”.
Lidhur me trajtimin e rasteve, përmenden ato të femicidit, duke thënë se mungesa e burimeve njerëzore ka ngadalësuar prioritizimin e trajtimit të tyre.
“Kohëzgjatja e rasteve nga kur ato angazhohen që kur të arrihet një vendim është ende i gjatë. Për më tepër, viktimat shpesh nuk janë të përfaqësuara. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të kuptuar rolin e tyre dhe për të marrë përsipër përgjegjësitë”.
Ndonëse vlerësohet rritja e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë në të gjitha gjykatat e Kosovës, sfidë sipas raportit mbetet numri i personelit ligjor e administrativ. “Planifikimi dhe menaxhimi i burimeve njerëzore duhet të fokusohen cilësia e personelit ligjor dhe administrativ dhe jo numri i madh”, thuhet në dokument.
Në Raportin e Progresit ka zënë vend edhe puna e Dhomave të Specializuara. Aty theksohet bashkëpunimi që institucionet e Kosovës duhet të kenë me të në mënyrë që mandati i tyre të përmbushet në pavarësi të plotë e pa ndonjë ndërhyrje të jashtme.
Derisa përmendet mbështetja financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarit e familjarëve të tyre, veçohet se një mbështetje e tillë nuk u është dhënë viktimave që janë identifikuar nga Gjykata Speciale.
Sipas Raportit të Komisionit Evropian, Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, që nga shkurti i 2018-s ka pranuar 1 mijë e 939 aplikime, prej të cilave 1.473 aplikantëve iu është njohur statusi (1 mijë e 402 gra dhe 71 burra), ndërsa janë refuzuar 283 kërkesa (247 gra dhe 36 burra). Ndërsa, gjatë periudhës raportuese, Komisioni ka pranuar 249 aplikime: 356 aplikantëve iu është njohur statusi (332 gra dhe 24 burra), ndërsa 50 aplikime janë refuzuar (43 gra dhe shtatë burra).