Dogana e Kosovës në vitin 2021 ka regjistruar të hyra prej 1.37 miliardë euro. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu në konferencë për media.
Ai ka thënë se ky vit ka qenë sfidues për Doganën, por se kanë arritur të tejkalojnë pritshmëritë.
“Viti që lamë pas ka qenë një vit i brishtë për shkak të sfidave, mirëpo kemi arritur objektivat. Një prej sfidave ka qenë rritja e vëllimit të të hyrave, performanca ekonomike rreth 10 për qind, gjithashtu ka lehtësuar. Dogana ka pasur një strategji në ofrimin e kushteve për të gjithë, reformë të proceseve kyçe për evazion fiskal dhe kemi pasur një bashkëpunim me biznese dhe qytetarë. Të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliardë euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur të hyra edhe 16 për qind më shumë se vitin 2019. Kjo është bërë pa ndryshime në norma fiskale”, ka njoftuar Llugaliu.
Ndërkohë ai ka thënë se ka pasur rritje të importit krahasuar me vitet paraprake, e që përfshin 4.6 miliardë euro.
“Ajo që kemi vërejtur se ka pasur të hyra më shumë se 30 për qind, ne kemi vërejtur se ka rënie të ankesave të bizneseve dhe na tregon se ka një gatishmëri për t’i paguar taksat. Te importi kemi pasur 4.6 miliardë euro, krahasuar me vitet paraprake ka pasur 3.5 miliardë euro”, tha ai, teksa shtoi se rritje ka edhe në aspektin e mallrave të konfiskuara.
Tutje, drejtori i Doganës tha se ka pasur efikasitet edhe në luftën ndaj kontrabandës me narkotikë, raporton EO.
Edhe
Dogana: Afër 2 miliardë euro të hyra dhe performancë rekord në 2025
“Ne kemi arritur të kemi rezultat të parandalimit në mbi 11 milionë euro e që janë importi nga lënda e parë. Gjithashtu ka pas efikasitet në mbrojtjen e Qeverisë, ku 48 raste të zbulimit të narkotikëve gjithashtu keni pas 57 raste me arma të gjitha janë bëtë në bashkëpunim me Policinë në kufi”, tha ai.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, është shprehur i kënaqur me të hyrat e Doganës, ndërsa ka thënë se në eksport është shënuar rekord me mbi 700 milionë euro.
“Është shënuar një rekord i të hyrave. Si përgjithësi mund të thuhet se të hyrat janë të jashtëzakonshëm, kemi një rekord edhe të eksportit me mbi 700 milionë euro, ka një rekord edhe të luftës ndaj kontrabandës dhe nuk ka lëshim nga shteti në këtë aspekt. Unë i përgëzoj stafin e Doganës për këtë punë, dhe shpresoj se suksesi të vazhdoj edhe këtë vit”, tha Murati.