Zgjatja e orarit për fëmijët e klasave përgatitore në Prishtinë, nga dy në katër orë në ditë, e vendosur nga DKA-ja në fillim të këtij viti shkollor, ka ngritur shqetësime për mënyrën e organizimit të punës së edukatoreve dhe zbatimin e legjislacionit. Pas ankesës së Këshillit Drejtues të shkollës “Xhavit Ahmeti”, Inspektorati i Arsimit ka kërkuar nga DKA-ja qartësimin dhe harmonizimin e orarit të punës së edukatoreve me dispozitat ligjore në fuqi.
Viti i ri shkollor nisi me disa ndryshime për parafillorët në shkollat e kryeqytetit përfshirë edhe zgjatjen e orarit.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë njoftoi se nga dy orë mësimi, fëmijët e kësaj moshe do të qëndrojnë katër orë në shkollë.
Sipas DKA-së, ky ndryshim është në dobi të fëmijëve dhe prindërve. E për këtë, grupet janë ndarë në dy ndërrime, paradite, nga ora 07:45 deri në 11:45, dhe pasdite, nga ora 11:45 deri në 15:45.
Po ashtu, është përcaktuar nga një edukatore për secilin ndërrim.
Por, sipas Këshillit Drejtues të shkollës “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë, këto ndryshime kanë krijuar probleme të reja, pasi, sipas tyre, ligji parasheh që edukatoret të punojnë tetë orë në ditë, të angazhuara në dy ndërrime.
Arben Nitaj thotë se ligji dhe udhëzimet administrative nuk lejojnë që një fëmijë të qëndrojë më shumë se tri orë në shkollë dhe se me organizimin e ri, edukatorja e përfundon ndërrimin pas katër orësh.
“…Ligji e parasheh që edukatorja duhet të punojë me dy grupe, paradite dhe pasdite. Në rastin konkret, e kanë rritë qëndrueshmërinë e nxënësve në shkollë, kohën, aspektin kohor, por edukatorja me 4 orë punë që e kryen në ndërrimin e parë shkon në shtëpi. Dhe paguhet, domethënë jashtëligjshëm për 8 orë, sepse parafillorët nuk janë sikur mësimdhënësit, edukatoret. Ato kanë vetëm një orë përgatitje për një ndërrim, jo një orë përgatitje një orë mësim. E kanë të rregulluar ndryshe dhe për këtë arsye duhet me pasë shumë kujdes, sepse secili njoftim, secili vendim duhet të jetë i ligjshëm, së paku duhet me këqyrë ligjshmërinë”, tha Nitaj.
Këtë çështje, që lidhet me orarin e edukatoreve dhe zgjatjen e qëndrimit të parafillorëve në shkollë, Këshilli Drejtues i kësaj shkolle e ka adresuar tek Inspektorati i Arsimit.
Në përgjigjen e tij, Inspektorati ka konstatuar se kjo çështje paraqet nevojë për qartësim dhe harmonizim me dispozitat aktuale ligjore.
“Përfundimisht, nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk është vërtetuar se organizimi i përcaktuar nga DKA-Prishtinë është në vetvete në kundërshtim me ligjin; megjithatë, mënyra e dokumentimit të organizimit të fondit të plotë të punës së edukatoreve paraqet nevojë për qartësim dhe harmonizim me dispozitat aktuale ligjore”, u tha nga Inspektorati Qendror i Arsimit.
Inspektorati i Arsimit i ka rekomanduar DKA-së në Prishtinë që të harmonizojë orarin e punës së edukatoreve në klasat përgatitore me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë punën e drejtpërdrejtë me fëmijët, përgatitjen dhe planifikimin.
Po ashtu, ka kërkuar që organizimi i grupeve dhe angazhimi i edukatoreve të respektojë normat ligjore, si dhe të plotësohet e qartësohet dokumentacioni administrativ, në mënyrë që orari i fëmijëve dhe koha e punës së edukatoreve të përcaktohen qartë dhe të zbatohen njëtrajtshëm në institucionet arsimore.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS që nga e enjtja, lidhur me këtë çështje.
Ligji nr. 08/L-153 për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, në nenin 28, përcakton se orari i punës për personelin edukativ është tetë orë në ditë, duke përfshirë gjashtë orë punë të drejtpërdrejtë me fëmijët dhe dy orë për përgatitje dhe planifikim.
Ndërkaq, kurrikulat lëndore dhe programet mësimore për klasat përgatitore përcaktojnë që fëmijët e moshës 5–6-vjeçare të zhvillojnë 18 orë mësimore gjatë javës.