Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ditari i Qosjes: Çka shkruante akademiku pas arrestimit të Thaçit dhe të tjerëve

Rexhep Qosja

Foto: Maximilian Gödecke

Fragment nga ditari i akademikut Rexhep Qosja, publikuar në llogarinë e tij në Facebook e cila menaxhohet nga familjarët

Ditari i Rexhep Qosjes, 4–5 nëntor 2020

Përshkrim:

Këto faqe nga ditari i Rexhep Qosjes (ende i pabotuar), të shkruara më 4 dhe 5 nëntor 2020, regjistrojnë reagimin e tij ndaj arrestimit dhe dërgimit në Hagë të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave politike të Kosovës. Në shënimet e tij Qosja përshkruan bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit, arrestimet e Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, si dhe shqetësimin e tij për krijimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Më poshtë publikohet transkriptimi i faqeve, i shoqëruar me riprodhimet e skanimeve origjinale.

Faqja 66 — 4.11.2020

Uniforma të EULEX-it iu kanë turrur sot shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe historianit, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe shtëpisë në fshatin e lindjes.
Bastisja e tyre në shtëpinë e Jakupit ka zgjatur prej mëngjesit, herët, e deri pasdite, mediet thonë afër nëntë orë. Au! Au!
Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie! Më vonë merret vesh se janë marrë edhe librat e tij që ka shkruar – për të parë çka kishte shkruar e çka kishte menduar! Stalinizëm “demokratik” europian!
Kjo sjellje ndaj zëdhënësit të UÇK-së, sipas të gjitha gjasave, është parathënie e sjelljes që do të pasojë ndaj kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit, i akuzuar prej “Dhomave të Posaçme të Kosovës” në Hagë.
Në mbrëmjë merret vesh se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit të deputetëve të (Lëvizjes Vetëvendosje) Kuvendit të Kosovës janë çuar në Hagë! Mediet tona thonë çfigurshëm : udhëtuan për në Hagë!
Jam shumë i brengosur. Keqardhje e madhe më ka pushtuar. Po përjetojmë ditë të vështira!
Kosova institucionalisht nuk është e aftë, nuk është e përgatitur për të mbrojtuar askë e asgjë.

Faqja 67 — 5.11.2020

Forcat në uniforma të EULEX-it sot kanë marrë Kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin.Shihen xhipat e Euleksit të përcjellë prej xhipave të policisë së Kosovës duke i çuar në aeroport!
Para se të merrej prej Euleksit Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kosovës — mbasi është bërë publik vendimi i Dhomave të Posaçme të Kosovës në Hagë se aktakuza ndaj tij është konfirmuar!
Dorëheqje prej detyrës së kryetarit të PDK-së ka dhënë, Kadri Veseli. Ai thekson se ka dhënë dorëheqje edhe prej të gjitha detyrave të tjera zyrtare që kishte.
Këto janë aktakuzat e konfirmuara më tronditëse, që e rëndojnë shumë UÇK-në, që e rëndojnë edhe Kosovën shtet, që na rëndojnë shumë të gjithëve.
Njëzet vjet pas luftës ne përndiqemi penalisht e “juridikisht” prej Gjykatës së Posaçme që krijuam vetë.
E krijuan atë Gjykatë ata që tani do të gjykohen prej saj!
Isha kundër krijimit të asaj Gjykate me shkrime e me intervista. E theksoja: ne nuk mund të pengojmë OKB-në, SHBA-në dhe BE-në të krijojnë atë Gjykatë, por ne vetë, kurrsesi nuk duhet ta krijojmë. Nuk duhet të pranojmë që të dënojmë vetëveten. Lufta jonë ishte luftë mbrojtëse, luftë çlirimtare, luftë për të mbrojtur jetën tonë, shtëpitë tona, tokën tonë, ekzistencën tonë nga pushtimi, eksploatimi, shtypja e Serbisë. Luftërat mbrojtëse, çlirimtare kurrë, gjatë historisë nuk janë nxjerrë para gjykatësve, nuk janë dënuar në Evropë. Qe, po duan të na dënojnë tani ne! Çudi e madhe është kjo. E kjo çudi do të jetë e tmerrshme po të marrim pjesë edhe në, vetë, në krijimin e saj – për të dënuar vetëvetën! Jo! Jo! Jo!
Por Hashim Thaçi ishte këmbëngulës për ta krijuar ne, vetë, këtë Gjykatë të posaçme!
Më vonë u muar vesh se Hashim Thaçi, Kadri Vesli e Rexhep Selimi janë çuar me aeroplan ushtarak në Hagë!
O, o, o sa jam i tronditur! Dje Jakupi, Jakup Krasniqi, e sot këta te tre! Hashimi, Kadriu, Rexhepi!
Çka do Evropa? Çka do të arrijë me këto Gjykime të Gjykatës së Posaçme? Ta barazojë luftën tonë mbrojtëse me luftën pushtuese të Serbisë?!
KOSOVË! KOSOVË! ÇKA PRITE!

Lexo përditësimet tjera
Thaci dhe të tjeret

Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18...