Arbëri

Dita e fundit e marrëveshjes së përkohshme për targat – Brukseli pret kryenegociatorët

Të enjten e 21 prillit skadon marrëveshja e përkohshme për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ditën e fundit do të mbahet edhe takimi në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve për të arritur marrëveshjen për të ardhmen.

Një ditë më herët, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi për takimin e fundit të grupeve punuese të të dyja shteteve për çështjen e targave. Ai shkroi në Twitter se Kosova e Serbia do të takohen të enjten në nivel kryenegociatorësh “për ta gjetur marrëveshjen për rrugën përpara”.

Takimet e grupeve punuese u parapanë në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e patën arritur në Bruksel më 30 shtator të 2021-s. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa. Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në mes të marsit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, që përfaqëson Qeverinë e Kosovës në këto negociata, pati bërë të ditur se janë tri opsione në tavolinë pas marrëveshjes së përkohshme që skadon më 21 prill.

Sipas tij, ndër propozimet është mbajtja e targave ekzistuese pa stikerë fare, dhe dy tjerat për t’i modifikuar targat si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve për të arritur marrëveshjen përfundimtare vetëm me parimin e reciprocitetit.