Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa zona në Hajvali mbesin pa ujë deri nesër

Foto: Koha

Disa zona në fshatin Hajvali do të mbesin pa furnizim me ujë për shkak të ndërhyrjeve ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, ka njoftuar KRU “Prishtina”.

Përmes një komunikate për media, KRU “Prishtina” i ka cilësuar si të papranueshme ndërhyrjet e paautorizuara, duke shtuar se të njëjtat dëmtojnë konsumatorët.

KRU thotë se deri të hënën sanimi është i pamundur.

“Nesër, ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit do të merren me atë sanim, me ç ‘rast konsumatorët e zonës më të madhe të Hajvalisë deri në sanimin përfundimtar do të jenë pa ujë të pijshëm, pra deri ditën e nesërme. Për shkak të këtij defekti nga persona të paautorizuar, gjatë ditës së nesërme, 22 qershor, e hënë, duke filluar nga ora 10:00 - 14:00 ,furnizimi me ujë të pijshëm do të ndërpritet përkohësisht në Graçanicë, Hajvali, Veternik dhe Zona Qendër e Bregut të Diellit, Lagja e Spitalit dhe Mati 1”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se intervenimi nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes dhe operimit duhet të realizohet në gypin magjistralen Badoc-Prishtinë.