Viti 2018 ka sjellë një rekord të zi për diplomacinë kosovare: vetëm një shtet e ka njohur pavarësinë në këta 11 muaj.
Se çka ka çuar në rënien e numrit të njohjeve, dhe si kanë përfunduar diplomatët kosovarë në sulm për t’i ruajtur njohjet që janë arritur, janë vetëm disa prej aspekteve që trajtohen në të dielën me “Kohën Ditore”.
Rrëfimin e një holandezi që kthehet në Pejë pas 50 vjetësh, dhe arsyet që kishin bërë që ëmbëltorja e parë në Gjilan të emërohej “Egjipti” i gjeni në faqet 12 e 26.
Nga bota shkruhet për princat e zhdukur të Arabisë Saudite dhe lidhjen e emigrantëve me lajmet e rreme.
Faqet e kulturës janë rezervuar për specialistin francez të fotografisë, Loic Chauvin, dhe lidhjen e tij me fotografinë në Shqipëri, dhe për profesorin e Gjeografisë Nazmi Berisha nga Rahoveci, që ka grumbulluar rreth 300 artefakte në shkollën ku punon.
Acie Earl tregon për “Kohën Ditore” se si karrierën e gjatë në basketboll e përfundoi si kampion në Kosovë, ndërsa futbollisti Mario Morina, flet për gabimet në karrierë dhe rrugën drejt një shansi të dytë që e solli në Kosovë.
Në mbi 80 faqe, si zakonisht gjeni edhe shumë materiale nga vendi e bota për një fundjavë ndryshe me të dielën me “Kohën Ditore”.