Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Diplomacia e Kosovës zgjerohet edhe në kontinentin afrikan

Diplomacia kosovare ka bërë edhe një shtrirje të re gjeografike, duke u bërë me përfaqësim dhe prezencë të përhershme diplomatike edhe në kontinentin afrikan.

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Shtetit të Senegalit, SH. T. Z., Macky Sall, duke u bërë Ambasadori i parë i akredituar dhe rezident i Kosovës në këtë shtet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është privilegj që e përfaqësoj shtetin e Kosovës, në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, por, para së gjithash, në vendin e paraardhësit Tuaj dhe themeluesit të shtetit të Senegalit, Presidentit, Léopold Sédar Senghor, me të cilin vendi i juaj por, edhe bota mburret me të. Personalisht, mburrem që kam pasur rastin ta takoj, në Bruksel, dy herë radhazi gjatë vitit 1988, për t’i folur që në atë kohë për Kosovën, e cila pësonte okupimin dhe terrorin e regjimit komunist jugosllav dhe serb të asaj kohe.”, ka thënë Gashi.

Në vazhdim të takimit, Ambasadori Gashi, gjithashtu, e falënderoi Presidentin Sall për gatishmërinë e Senegalit për njohjen e shtetit të Republikës së Kosovës, që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë.

“Vendi im, është përjetësisht falënderues që Ju jeni rreshtuar në mesin e vendeve të para të botës për të njohur pavarësinë e vendit tonë. Ne nuk do ta harrojmë kurrë dhe se nuk është i rastit fakti, që ne kemi zgjedhur Senegalin për të hapur Ambasadën tonë të parë në kontinentin e Afrikës”, theksoi Ambasadori Gashi.

Tutje, Ambasadori Gashi e ka njoftuar Presidentin senegalez, Sall, edhe mbi ecurinë e historikut të Republikës së Kosovës, ndërkohë që është diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e procesit të njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, duke përfshirë procesin e anëtarësimit në Organizata Ndërkombëtare.