Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

DiCaprio i gëzohet vendimit të qeverisë shqiptare për Lumin Vjosa, “historia u shkrua”

Aktori me famë botërore, Leonardo DiCaprio, ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen e Lumit të Vjosës Park Kombëtar.

DiCaprio ka shpërndarë një shkrim të organizatës mjedisore “Rewild” ku thotë se me këtë vendim historia është shkruar.

“Sot historia është shkruar. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe bizneseve ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Lumi Vjosa do të lëvizë lirshëm përgjithmonë, nga burimi te deti, që gjeneratat e ardhshme ta shijojnë”, thuhet në shkrimin e shpërndarë nga aktori.

Që prej disa vjetësh, DiCaprio kishte dalë publikisht kundër vendimit të mëhershëm të qeverisë që të ndërtoheshin hidrocentrale në lumin Vjosa.

Qeveria e Shqipërisë më 13 mars e ka shpallur Park Kombëtar lumin Vjosa. Shpallja Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon lumin, përfshirë hidrocentralet.