Ngecjet në dialogun me Serbinë kanë ndikuar që Kosova të mos jetë ende pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka deklaruar të mërkurën ambasadori i bllokut evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në diskutimin lidhur me Raportin për Kosovën, Szunyog ka theksuar se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të punojnë më shumë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
“Arsyeja pse Kosova është aty ku është, që do të thotë se është ende në proces të stabilizim-asocimit e jo në atë të zgjerimit, është dialogu. Dhe për shkak të punës së pakryer të dialogut ne ende kemi këto sfida. Jam inkurajuar nga deklarimet, përfshirë edhe të kryeministrit, se ekziston një mundësi për ta përmbyllur dialogun me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në dy vitet e ardhshme dhe do të doja ta shihja këtë, por kjo është një çështje që si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet që ta shtyjnë përpara”.
Duke komentuar mbi gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, shefi i Zyrës së BE-së ka thënë se vlerësimi për Kosovën është më i mirë se ai i vitit të shkuar.
Si disa prej fushave në të cilat duhet që të ketë përmirësim, ai ka përmendur efikasitetin e punës së Legjislativit, atë në rrafshin e energjisë, si dhe të sundimit të ligjit.
“Edhe sundimi i ligjit është një fushë që ka përparim, por na duhet më shumë punë për të zbatuar kornizën ligjore, përdorimin më të mirë të mekanizmave ekzistues, të ketë rezultate më të mira dhe vendime përfundimtare në disa raste që janë duke vazhduar qe një kohë të gjatë”, tha Szunyog.
Por, punën e Qeverisë në fushën e drejtësisë e ka vlerësuar ndryshe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Te fusha e drejtësisë mendoj se për një vit është bërë më shumë se një dekadë. Procesi i vettingut ka filluar. Duhet ta kuptojmë se sundimi i ligjit nuk është diçka që mund të vijë për një vit ose brenda një mandati”.
E nga shoqëria civile është vlerësuar se me gjithë shumicën që ka pushteti aktual në Kuvend, puna e tij është kritikuar në Raportin për Kosovën.
“Ambasadori përmendi me të drejtë funksionimin e Kuvendit që është ngritur si problematikë në raport. Përkundër faktit se kjo qeveri ka shumicën kemi parë që ka mungesë kourumi. Kemi parë që nuk ka kohezion të mjaftueshëm në Kuvend. Konsiderojmë që kohezioni politik brenda Kuvendit është predispozitë e rëndësishme për të çuar përpara reformat”.
Raporti i Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor është publikuar në fillim të muajit tetor. Në këtë raport Kosova është vlerësuar për punën njëvjeçare të saj në avancimin drejt integrimit në BE.