Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dialogu Kosovë-Serbi: Shtegu drejt njohjes

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Kosovës dhe Serbisë po hyn në një fazë kritike: është e paqartë nëse palët do të pajtohen për agjendë të re apo do të vazhdojnë diskutimet për çështjet e vjetra. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon të vendosë agjendë të re në dialog dhe ta vendosë Kosovën si palë të barabartë me Serbinë. Zgjidhja e konfliktit në mes të dyja vendeve duhet të jetë krijimi i një konsensusi shoqëror në të dy anët e kufirit. Kurti preferon të mos e ketë prioritet dialogun, por s’është në interes të tij që ta shtyjë – pasi kjo do t’i përshtatej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Lidershipi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi më të madhe për komunitetin serb në Kosovë dhe të përmirësojë shërbimet në shëndetësi e edukim, që aktualisht janë në duart e strukturave paralele. Duhet të shmangë lidhjen e ofrimit të çfarëdo shërbimi me ndonjë koncension të ardhshëm serb mbi statusin e Kosovës. Një dialog i brendshëm do të ishte mënyra më e mirë për të adresuar çështjet kontroverse, e të politizuara, sikur statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Këto janë përmbledhjet që organizata e matjes së opinionit publik e Këshillit Evropian ka renditur në një shkrim të premten.

Në pjesën hyrëse, raporti thekson se të dyja palët duhet të pajtohen nëse duan të ridefinojnë agjendën e dialogut apo ta vazhdojnë atë.

“Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, duket se jo vetëm që dëshiron ta ndryshojë tonin e bisedimeve – duke thënë se ‘kosovarët duhet të trajtohen të barabartë’ – por edhe duke vënë në dyshim përmbajtjen e tyre. Paradoksalisht, kjo mund të jetë pikërisht ajo për të cilën Serbia po shpresonte”, thuhet në hyrje të këtij shkrimi, në të cilin më pas kujtohet se Vuçiqi vazhdimisht po përsërit qasjen e Serbisë se nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Me shkrime nga dy perspektiva, artikulli vazhdon me qasjen se “sa mund të jetë bashkëjetesa e mundshme?”.

Fisnik Korenica, profesor i juridikut në Universitetin e Prishtinës dhe hulumtues në Grupin për Studime Ligjore dhe Politike, ka folur për qasjen e re të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Igor Bandoviq, drejtor i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, ka folur për “ndarjet etnike në Kosovë”.

Për drejtoreshën e Nismës së Re Shoqërore, organizatë e shoqërisë civile me bazë në Mitrovicën e Veriut, Jovana Radosavljeviq, domosdoshmëria për bashkëjetesë është që shteti i Kosovës të marrë përgjegjësi më të madhe për qytetarët serbë – duke u kujdesur për shëndetin e edukimin e tyre. Sipas saj, madje një lidhje më e fuqishme e veriut me institucionet qendrore në Kosovë do të ishte mënyra më e mirë për të shmangur skenarin e Republikës serbe në veriun e Kosovës.

Me qëndrimin e saj pajtohet Shpëtim Gashi, zëvendëspresident i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, organizatë joqeveritare me bazë në SHBA. Ai ka shtuar se shteti kosovar nuk duhet t’i lidhë koncesionet e Serbisë për statusin e vet me qasjen e Kosovës ndaj serbëve në Veri.

Engjëllushe Morina, bashkëpunëtore e lartë në programin për Evropë më të gjerë, dhe Jelena Loncar nga Universiteti i Beogradit, kanë shkruar për trashëgiminë fetare si çështje me rëndësi për diskutim mes palëve. Të dyja shtetet pajtohen se çështja është kthyer në diskutime politike.

Mësimet për Qeverinë Kurti

Për qasjen e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Korenica ka thënë se kryeministri Albin Kurti po mundohet të gjejë një rrugë për të shmangur “ndërlikimet” me të cilat janë përballur negociatorët e Kosovës në të shkuarën.

Megjithatë, Korenica ka sugjeruar se Kosova s’duhet të refuzojë dialogun.

“Të vetmit që do të përfitonin nga kjo do të ishin presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe nacionalistët e tjerë, që po përpiqen t’i bindin shtetet e Perëndimit se Kosova s’ka interes për normalizim raportesh me Serbinë”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të vërë kusht që bisedimet të vazhdojnë me qasjen liberale e në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Sipas tij, shtetet duhet të synojnë pajtimin duke pranuar pasojat e luftës dhe duke ofruar drejtësi për viktimat, e duke kuptuar se një proces i paqes në Ballkan kërkon përpjekje për të zbehur ndikimin rus dhe për të forcuar lidhjet me Perëndimin.

Korenica ka sugjeruar se Kurtit i duhet të qartësojë qëndrimin e tij se çfarë Kosova mund të ofrojë e çfarë s’do të pranojë nga Serbia në këto negociata. Ai ka thënë se janë tri çështje në të cilat Kosova duhet të ketë qëndrim të qartë, në atë se si Kosova duhet t’u përgjigjet ngecjeve në dialog dhe angazhimeve të Serbisë për çnjohje, se nëse ka vija të kuqe për Kosovën përgjigjen ndaj kërkesave të aleatëve të saj perëndimorë për koncesione ndaj Serbisë dhe se Kosova ka si alternativë përkrahjen e aleatëve perëndimorë në rast se dështon dialogu.

Ai ka theksuar se janë disa çështje të tjera që Kosova duhet të përcaktojë pozicionin e saj para se të futet në fazën e re të dialogut. Fillimisht ka renditur si pikë qasjen e shtetit ndaj marrëveshjeve teknike e politike të nënshkruara deri tash, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Së dyti, ka thënë se Kosova duhet të caktojë pozicionin e saj edhe për çështjet ndërshtetërore që i përmend Kurti – si ajo për borxhet, arkivat, njerëzit e zhdukur, drejtësinë për krimet e luftës, lëvizjen e lirë të mallrave e njerëzve – por “me sa duket duke përjashtuar statusin e komunitetit serb në Kosovë, financimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në institucionet në veri të kontrolluara nga serbët dhe pavarësimin e Listës Serbe nga Beogradi. Në rend të tretë ka thënë se Kosova duhet të përcaktohet nëse do të kërkojë njohje nga Serbia për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe nëse Kosova do të refuzojë negocimin për çështje si bashkimi i mundshëm me Serbinë apo ndryshime territoriale si pjesë të marrëveshjes finale.

“Sapo që Kurti të qartësojë pozicionet e tij për këto çështje, ai duhet të nisë koordinimin me aleatët perëndimorë të Kosovës – me vëmendje kah kompletimi i procesit negociator. Në fund, Kurti dhe ekipi i tij duhet të qartësojnë këto pika fillimisht për veten, para se t’ua komunikojnë idetë edhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Korenica ka thënë se Kurti duhet të negociojë vetëm për çështjet që mund t’u përmbahet. Ai ka sugjeruar po ashtu që Kurti duhet të arrijë konsensus të brendshëm politik, duke u ofruar liderëve të tjerë rol në strategjinë që do të ndjekë Kosova. Ai ka porositur që “fitorja e madhe e shkurtit nuk ia jep Kurtit mandatin që të zhvillojë bisedimet pa inputet e rivalëve të brendshëm politikë”.

Për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, Korenica ka thënë se diplomatët e huaj kërkojnë qasje më fleksibile të Qeverisë për të pasur sukses në tavolinën e negociatave.

“Kosova duhet të bashkëpunojë me partnerët perëndimorë, duke e ditur se kjo është mënyra e vetme që Serbia mund ta njohë Kosovën për shkak të presionit të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Dhe prezenca e NATO-s në Kosovë është vendimtare për të mbrojtur Kosovën nga kërcënimet për integritet territorial dhe të llojit të ndikimit rus sikur në Ukrainë”, ka shtuar ai. “Kësisoj, Kurti duhet të ecë krahas partnerëve në dialog. Atij i duhet t’i informojë për strategjinë e tij dhe me më së shumtë rëndësi, të sigurohet që ata të vazhdojnë përkrahjen për Kosovën në periudha afatgjata. Për çfarëdo strategjie që neglizhon këta faktorë, do ta ekspozonte Kosovën para një kërcënimi që s’mund ta adresojë si i vetëm”.

Transparenca është përmendur nga Korenica si diçka e nevojshme për procesin e dialogut.

Në pikën e fundit, ai ka theksuar se Kurtit i duhet të vendosë “shembull të mirë” me bashkëpunimin me pakicat. “Duke u angazhuar në një dialog me serbët në Kosovë, Kurti do të përforconte imazhin e tij si një burrështetas modern që përkrah parimet e demokracisë liberale”.

Si përmbledhje, Korenica ka thënë se Kurtit i duhet të tregojë politikë të durueshme duke dëgjuar rivalët, duke mos sakrifikuar interesat e politikës së jashtme për ambicie të brendshme e duke mbrojtur interesat e Kosovës në bashkëpunim me aleatët. “Në këtë mënyrë, ai mund të ringjallë dhe eventualisht të përfundojë dialogun Kosovë-Serbi”.

Ndarjet etnike

Sa u përket ndarjeve etnike në Kosovë, Igor Bandoviq ka kujtuar se nacionalistët ëndërrojnë për Serbinë e Madhe dhe për Shqipërinë e Madhe në anën tjetër. Sipas tij, kjo paraqet sfidën për pyetjen se “si mund të jetojnë bashkë këta njerëz, duke marrë parasysh se pas kaq shumë vjetësh pas lufte, ata ende nuk kanë besim dhe e distancojnë veten nga njëri-tjetri?”

Përgjigjen e ka parë si shumë komplekse. Sipas tij, gjithçka duhet të nisë duke ua bërë jetën më të përshtatshme serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

“Nuk ka dritë në fund të tunelit për negociatat Kosovë-Serbi në Bruksel. Pavarësisht shumë ngritjeve e uljeve në proces, palët ende janë larg marrëveshjes gjithëpërfshirëse obliguese. Bisedimet kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë kosovare, por duket se nuk do të zgjojnë besim në mes dy komuniteteve. Për aq kohë sa Kosova e sheh zgjidhjen e konfliktit të ngrirë si çështje përfundimtare të shtetësisë, dhe për sa kohë Serbia e sheh procesin si mënyrë për t’i shpëtuar poshtërimit dhe për të fituar njohjen e territorit të humbur, serbët në Kosovë do të vazhdojnë të vuajnë nga veprimet e të dyja palëve, Prishtinës e Beogradit”, ka thënë ai teksa ka shtuar se ndikimi i Serbisë në Kosovë po vazhdon nëpërmjet sistemit paralel.

Ai ka shtuar se serbëve në Kosovë u duhet një mundësi për t’u angazhuar në kuadër të dialogut.

Asociacioni

Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Shpëtim Gashit, ka pak gjasa që të ndahet nga marrëveshja e përgjithshme. Ai ka thënë se Kosova do të duhet të pajtohet për formimin e Asociacionit, si përpjekje e saj për integrim të një pjese të popullatës në shtetin e saj.

Si zgjidhje, ai ka thënë se Asociacioni duhet t’u përshtatet të dyja palëve, ndërsa për shqiptarët në Kosovë ka thënë se institucioni duhet të riafirmojë statusin e pavarur të Kosovës. Sipas tij, Asociacioni duhet të rregullojë edhe pjesë të edukimit e skema shëndetësore.

Me disa ndryshime kushtetuese, për të transferuar disa kompetenca te komunat serbe, sipas Gashit, krerët e komunave do të pranonin Asociacionin. Megjithatë, sipas tij, gjuha e deritashme ka dëmtuar mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme. Ai ka thënë se për Asociacionin duhet të ndryshojë narrativa dhe të prezantohet një mekanizëm për të ndihmuar në integrimin e serbëve lokalë e për të konsoliduar shoqërinë multietnike.

“Për të gjithë këtë do të kërkohet një kompromis mes Prishtinës e Beogradit nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Marrëveshja do të kërkonte ndryshime kushtetuese në të dy anët – duke ia komunikuar qartë publikut e duke treguar se ndryshimet kanë precedent. Nëse Qeveria e Kosovës vazhdon ta refuzojë Asociacionin, do t’i duhet të prezantojë vizionin e saj se si t’i shuajë institucionet e mbetura të Serbisë në shtet nën ligjet ekzistuese dhe përkrahjen nga Qeveria serbe”, ka shtuar ai.

Trashëgimia

Engjëllushe Morina ka thënë se në të dyja shtetet ka pasur zgjim të debatit për çështjen e trashëgimisë kulturore dhe lokaliteteve fetare. Duke folur për aneksin V të Pakos së Ahtisaarit e që u ofron mbrojtje ligjore zonave të veçanta të lokaliteteve fetare, Morina ka thënë se çështja është komplikuar edhe më shumë.

Për mbrojtjen e lokaliteteve të veçanta, Morina ka thënë se problemi kyç është se të dyja palët e shohin mbrojtjen e zonave kulturore e fetare nëpërmjet syrit të sigurisë dhe politikës.

“Autoritetet nuk kanë arritur t’i implementojnë tamam ligjet e dizajnuara për mbrojtje të këtyre lokaliteteve. Dhe mungesa e pajtimit në mes komuniteteve u ka hapur rrugën ndarjeve që kanë nxitur edhe më shumë retorikën e nacionalistëve për të drejtën e pronës dhe territorialitetin”.

Duke folur për retorikën e ashpër në këtë fushë, Jelena Loncar ka theksuar se marrëveshja finale patjetër që duhet të adresojë çështjen e trashëgimisë së lokaliteteve fetare ortodokse.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje sistematike për të prezantuar “trashëgiminë serbe si shqiptare, bizantine, katolike apo ilire”.

Sipas saj, depolitizimi i çështjes së lokaliteteve fetare do t’u ndihmonte dy shteteve të zbehnin ndarjet për çështjen në fjalë. Ajo ka thënë se kur të hapen diskutimet për çështjen e statusit të trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe, ato duhet të zgjerohen në nivele ekspertësh e organizatash lokale, si dhe me përfshirjen e ndërkombëtarëve.

Përgatiti: E.B.

Artikuj të ngjashëm