Banorët e dhjetë fshatrave dhe opozita në Komunën e Lipjanit kanë akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën me arsyetimin se është degraduar projekti i rrugës nacionale dhjetëkilometërshe Lipjan –Magurë, i cili është asfaltuar rreth një vjet më parë në vlerë prej një milion e 164 mijë e 689.24 eurosh.
Opozita dhe qytetarët po e cilësojnë si projekt të dështuar, derisa Komuna e Lipjanit nuk e ka bërë studimin e fizibilitetit para se ta përgatiste hartimin e këtij projekti.
Vitin e kaluar, shkaku i cilësisë së dobët të punimeve kompania “Trasing Group”, e cila ishte fituese e këtij projekti e ka hequr një pjesë mjaft të madhe të asfaltit për ta rregulluar sipas standardëve trasenë e këtij aksi rrugor, mirëpo ndërkohë sërish po paraqiten telashet e njëjta, shkruan sot Koha Ditore.
Selvie Halimi, ushtruese e detyrës e kryetarit të Degës së PDK-së në Lipjan, ka thënë se projekti i rrugës Lipjan – Magurë, është i dështuar me arsyetim se Komuna para se ta bënte hartimin e projektit nuk e kishte bërë studimin e fizibilitetit të tokës, i cili është i domosdoshëm.
Qerim Hasani, banor nga fshati Shalë i Komunës së Lipjanit, ka thënë se degradimi i rrugës Lipjan - Magurë po e vështirëson qarkullimin e banorëve të dhjetë fshatrave, të cilët për çdo ditë e frekuentojnë këtë aks rrugor. Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.