Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dezinfektohen dhjetëra objekte shkollore

Pas një varg kërkesash nga prindërit dhe qytetarët, Komuna e Shtimes nëpërmjet një kompanie private në vlerë prej rreth 15 mijë eurosh ka nisur dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimit e objekteve shkollore.

Ndërkohë pas rezultateve dhe cilësisë së higjienës nëpër shkolla, me këtë projekt Komuna është zgjeruar edhe nëpër institucionet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në objektet e tjera publike, shkruan sot Koha Ditore.

Vlora Ademi, qytetare nga Shtimja, ka thënë se që nga nisja e fillimit të vitit shkollor kanë kërkuar nga Komuna dhe nga drejtuesit e disa shkollave t’i pastrojnë objektet shkollore derisa kanë vërejtur dhjetëra insekte të ndryshme nëpër klasa.

Drejtoresha e shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime, Jasmine Xhakli-Hysaj, ka njoftuar të gjithë prindërit dhe nxënësit se tashmë është bërë procesi i DDD-së në të gjitha hapësirat e kësaj shkolle.

Mensur Neziri, drejtor i arsimit në Komunën e Shtimes, ka sqaruar se deri tashti ka përfunduar dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi në dhjetëra objekte shkollore me qëllim që të krijohet një ambient sa më i pastër për nxënësit dhe mësimdhënësit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)