Iniciativa qytetare për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore ka dështuar pasi numri i daljes në votim ishte i ulët.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se s’ka kaluar procesi për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore.
Radoniqi ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 qytetarë nga rreth 13.000 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6.000 me të drejtë vote, në Zveçan s’ka votuar askush e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.
Ai ka thënë se përkundër sfidave, KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që t’iu mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtës demokratike dhe ligjore.
“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore”, ka deklaruar Radoniqi në një konferencë për media.
Qendrat e votimit në katër komunat janë hapur nga ora 7 e mëngjesit.
Lista Serbe kishte bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Për t'i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.
Dalja deri në ora 11:00 ka qenë shumë e ulët.
Pamje nga vendvotimet në Mitrovicë të Veriut:
Pamje nga vendvotimet në Zveçan:
Ende nuk janë hapur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat në veri
Në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Zubin-Potok qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Qendrat e votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve është paraparë të hapeshin nga ora 7 e mëngjesit.
Agim Kastrati, kryesues i KKZ-së në komunën e Zubin-Potokut, ka thënë se në këtë komunë me përjashtim të disa problemeve të vogla teknike çdo gjë po shkon sipas planit.
Ai ka thënë se s’ka ende informata nëse ndokush e ka shfrytëzuar të drejtën e votimit.












