Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështimi për të krijuar qeveri stabile po dëmton bizneset, thotë Rukiqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u tha bizneseve dhe ndërmarrjeve që shteti i Kosovës është krenar me ta dhe do t’i përkrahë gjithmonë.

“Suksesi juaj është suksesi i shtetit të Kosovës”, tha Thaçi, në një ceremoni të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës ku janë ndarë shpërblimet për tatimpaguesin, eksportuesin dhe punëdhënësin e vitit 2019.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se krizat e vazhdueshme politike, dështimi për të krijuar një qeverisje stabile, janë të pashëndetshme për biznesin.

Rukiqi theksoi se bizneset e Kosovës prej natyrës janë kërkuese dhe këmbëngulëse, por janë shumë të fuqishme kur janë bashkë. Ai bëri thirrje që të tillë të bashkuar në Odë të jenë edhe në të ardhmen.

“Sot në vendin tonë kemi njerëz pa vende pune, u mungojnë aftësitë dhe edukimi i duhur. Paradoksalisht sot në vendin tonë kemi vende pune, për të cilat nuk ka njerëz të gatshëm për punë. Liderët të cilët i kemi zgjedhur nuk janë të përgjegjshëm, krizat e vazhdueshme politike, dështimi për me krijuar një qeverisje stabile, janë të pashëndetshme për biznesin... Ne jemi të vendosur bashkërisht që biznesin ta mbrojmë edhe nga gjuha akuzuese dhe populiste, që është në vendin tonë nga komponentë të ndryshëm të shoqërisë”, tha ai.

Rukiqi tha se Oda Ekonomike e Kosovës po rritet nga viti në vit dhe sonte të pranishëm janë dyfishi i pjesëmarrësve krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tij, kjo tregon për një performancë të jashtëzakonshme të punës me bizneset, raporton KosovaPress.