Është shënuar edhe dështimi i tretë brenda një jave për partitë në pushtet që nuk po arrijnë ta kalojnë demarkacionin me Malin e Zi, raporton KTV.
As prania e delegacionit më të lartë evropian në Kosovë nuk ndërroi mendjen e deputetëve që po e kundërshtojnë votimin e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht pritjes që kishin partitë në pushtet.
Deputetët e Listës Serbe as këtë herë nuk ishin në sallë plenare, derisa e gjithë vëmendja e partive në pushtet ishte te Vetëvendosje. Kryeministri, ministra e deputetë të LDK-së me radhë janë munduar ta bindin Vetëvendosjen edhe për dy votat e nevojshme por pa sukses.
Me 67 deputetë të pranishëm në sallë, kryetari Kadri Veseli i hapi punimet e seancës, që në fakt nisi me një orë vonesë.
Kur u kërkua shmangia nga rregullorja, Vetëvendosje ishte kundër. Megjithatë, shmangia nga rregullorja e Kuvendit u bë me 62 vota të deputetëve. Por, pa një vendim të komisionit për Punë të Jashtme, seanca nuk mund të vazhdonte. Ndryshimet e kërkuara nga LDK-ja duhet të kalonin në procedura.
Në fakt, nga kjo pauzë, deputetët nuk u kthyen më në sallë plenare. Pavarësisht që komisioni përfundoi punën pak minuta pas orës 12:00, seanca nuk vazhdoi e sqarime nuk jepte askush. Por, jashtë objektit të Kuvendit, tek ai i qeverisë, tashmë ishin bërë bashkë krerët e lartë të shtetit.
Presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli zhvillonin takim me përfaqësuesit serbë. Asnjë informacion zyrtar nuk doli nga aty, derisa jozyrtarisht flitet për kushtin e Listës Serbe që është formimi i dy komunave të reja serbe.