Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dëshmitari i mbrojtjes konteston deklaratat e çiftit Zyrapi kundër Shalës

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten, ka vazhduar rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur ish-veterani i UÇK-së, Blerim Kuqi, i cili ka kontestuar dëshmitë e çiftit Zyrapi

Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, me dëgjimin e dëshmitarit Blerim Kuqi.

Ai ka kontestuar vërtetësinë e deklaratave të dëshmitares paraprake, Ganimete Zyrapi, derisa për dëshmitarin Nuhi Zyrapi ka thënë se e ka dajë dhe se ai kurrë nuk ia kishte përmendur se Remzi Shala dyshohet për vrasjen e Haxhi Përteshit.

Blerim Kuqi tha se në shtëpinë e vëllezërve Zyrapi ka qëndruar nga fundi i qershorit deri në fund të korrikut të vitit 1998 dhe se aty nuk e ka parë asnjëherë të akuzuarin Shala. Në seancat e mëparshme, Ganimete Zyrapi tha se në shtëpinë e burrit të saj ka dëgjuar se si Remzi Shala është shprehur se “e kanë hequr qafe edhe njërin”, respektivisht Haxhi Përteshin.

“Gjatë kësaj kohe, a ju kujtohet, ndonjë situatë e pazakontë, në mes të Ganimete Zyrapit dhe ndonjë ushtari të UÇK-së?”, ka pyetur Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit.

“Jo”, është përgjigjur shkurt dëshmitari Blerim Kuqi.

Edhe Prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkojnë që Remzi Shala të shpallet fajtor për krime lufte Kronikë Prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkojnë që Remzi Shala të shpallet fajtor për krime lufte

Kuqi ka deklaruar se edhe burri i Ganimete Zyrapit nuk i ka folur kurrë për rastin apo dyshimet lidhur me përfshirjen e Remzi Shalës.

“Nuhi Zyrapi është daja im. Unë e kam dajë, qe 24 vjet, prej që ka ndodhur rasti, unë e kam pasur dajë edhe para 24 vjetëve, edhe sot e kam dajë. Kurrë një herë nuk e ka pasur bisedë me mua këtë rast. Domethënë që Remzi Shala dyshohet se e ka marrë atë person – kurrë në jetë nuk e ka pasur këtë bisedë”, ka thënë Kuqi.

Para trupit gjykues, dëshmitari ka treguar se si ka pranuar mesazh nga djali i Ganimetes dhe Nuhiut, rreth dëshmisë eventuale të tij në këtë gjykim, të cilat transkripte edhe i ka dorëzuar.

Kuqi ka thënë se Bashkim Nrecaj mund të tregojë se ku ka qenë në atë kohë Remzi Shala.

Mbrojtja ka propozuar dëgjimin e Nrecajt.

Edhe Dëshmitari i fundit e Remzi Shala i kundërshtojnë akuzat në rigjykimin për krime lufte Arbëri Dëshmitari i fundit e Remzi Shala i kundërshtojnë akuzat në rigjykimin për krime lufte

E, prokurori Haki Gecaj ka propozuar dëgjimin edhe të Altin Zyrapit, por këto nuk janë miratuar nga trupi gjykues.

Trupi gjykues ndërkohë ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për rimarrjen në pyetje të dëshmitarit, Blerim Kuqi.

Seanca e radhës është caktuar për datën 22 maj.

Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale: krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vjet burgim. Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin, duke zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Edhe Veterani i UÇK-së konteston deklaratën e dëshmitares paraprake Arbëri Veterani i UÇK-së konteston deklaratën e dëshmitares paraprake

E Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e ktheu rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin.