Arbëri

Dëshmitari Hashani thotë se s’kishte pasur njohuri për privatizimin e hidrocentraleve

Pas dështimit të dy seancave të mëparshme, të mërkurën ka vazhduar gjykimi ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2: Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Dardan Gashi e Nenad Rashiq, të cilët po akuzohen për korrupsion në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”.

Për këtë rast para trupit gjykues të mërkurën ka dëshmuar këshilltari teknik dhe biznesor në Njësinë për Implementimin e Projekteve, Burim Hashani, i cili deklaroi se nuk kishte pasur njohuri për privatizimin e hidrocentraleve dhe se këtë e kishte marrë vesh përmes vendimeve të Qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se gjatë procesit të privatizimit janë krijuar dy dhoma të cilat i kanë informuar kompanitë e parakualifikuara me detajet.

Por, për dëshminë e Hashanit, avokati i Beqajt, Besnik Berisha, tha se nuk është e drejtë që persona që nuk janë ekspertë të japin mendime konspirative në seancë, qofshin ato edhe në favor të mbrojtjes.

Berisha e pyeti dëshmitarin edhe nëse gjatë asistencës së tij teknike ka hasur ndonjë dokument me të cilin ishte ndaluar transferimi i katër hidrocentraleve tek ndërmarrja KKDFE, për çka dëshmitari deklaroi se nuk kishte hasur në ndonjë dokument të tillë.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ish-ministrat bashkë me disa persona të tjerë po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi të njëjtët unanimisht kanë votuar që 4 hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Çalik”.