Arbëri

Dërrasa e zezë nuk zëvendësohet me tabelën e mençur

Nxënësit nuk do ta shohin efektin e një prej projekteve më të mëdha të Ministrisë së Arsimit për këtë vit. Në klasa nuk do të instalohen tabelat e mençura, shkaku i pezullimit të tenderit pas ankesës për kritere favorizuese. Vërejtje janë dhënë edhe për projektin. Njohës të arsimit thanë se nuk mjaftojnë tabelat e mençura në klasa, pa internet me brez të gjerë dhe pa kompjuterë

Viti i ri shkollor pritet të nisë pa tabela të mençura në klasa, e që Ministria e Arsimit planifikoi t’i vendosë.

Tenderi për to, në vlerë 8.5 milionë euro, është pezulluar pas një ankese që ka bërë një operator ekonomik, e për pasojë, në mungesë të nënshkrimit të kontratës, nuk do të zëvendësohen dërrasa e zezë dhe shkumësi.

Në ankesë pretendohet se disa nga kriteret e listuara favorizojnë kompani të caktuara.

“Te specifikat teknike ishte specifikuar pesha 59.3 kg. Kështu, siç ishte përcaktuar pesha e pajisjes, shihet dhe vërtetohet qartë se Autoriteti Kontraktues këtë aktivitet të prokurimit e ka përgatitur për një Operator Ekonomik të caktuar, pasi që është pothuajse e pamundur që të gjithë operatorët ta prezantojnë pajisjen me këtë peshë”, thuhet në ankesën e kompanisë “Solution D”.

E, në Ministri e kanë cilësuar të pabazë ankesën.

“MASHTI ka qenë gjatë gjithë kohës në komunikim dhe bashkërendim me OSHP-në, dhe u është përgjigjur të gjithë operatorëve ekonomikë të interesuar për ofertim, për çfarëdo pyetje apo shpjegim të nevojshëm lidhur me tenderin dhe kushtet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por të kundërtën e kanë thënë në kompaninë ankuese.

“Te specifikat teknike shihen qartë disa kontradikta ndërmjet rreshtave të specifikuar nga Autoriteti Kontraktues. Si shembull, në një rresht specifikohet ‘Infrared’, ndërsa më vonë përshkruhet vetëm ‘IR’. Kështu, siç janë hartuar specifikat teknike, krijohen paqartësi dhe, njëkohësisht, Operatorë Ekonomikë mund të eliminohen nga aktiviteti i prokurimit për kërkesa të pasqaruara dhe kontradiktore me njëra-tjetrën”, ka pretenduar kompania ankuese.

Vërejtje janë dhënë edhe për projektin.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se nuk mjaftojnë tabelat e mençura në klasa, pa internet me brez të gjerë dhe pa kompjuterë.

“Nëse është planifikuar një numër kaq i madh tabelash të mençura sa për t’i furnizuar të gjitha klasat, atëherë është dashur të mendohet edhe për dy komponentët e tjerë – kompjuterët dhe internetin. Më mirë do të ishte të bëhej në mënyrë graduale dhe paralelisht me këto pajisje, në mënyrë që të ndihmohej edhe përshtatja e mësimdhënësve dhe nxënësve në këtë sistem të ri”, ka thënë ai.

Pupovci, i cili për një periudhë ka qenë zëvendësministër i Arsimit në mandatin që ka përfunduar, tha se Kosova mbetet shumë prapa vendeve të tjera të botës në përdorimin e teknologjisë në arsim.

“Jemi në listën e parafundit për shkathtësitë e nxënësve të klasave të 8-ta në përdorimin e teknologjisë. Ne mendojmë që fëmijët tanë janë të aftë në teknologji, por realiteti është që krahasuar me vendet e tjera, jemi prapa. Një faktor që ndikon është mungesa e pajisjeve teknologjike, sepse në shtëpi fëmijët i përdorin më shumë për rrjete sociale dhe jo për arsimin”, ka thënë Pupovci.

Bazuar në kalendarin shkollor, shkollat i hapin dyert për nxënësit nga 1 shtatori. E, vetëm dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit e ka hapur mundësinë e aplikimit për subvencionimin e prindërve për tekste dhe materiale mësimore të fëmijëve.