Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, ka përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për ditët dhe javët në vijim, njofton Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit.
Kryesia vendosi që të premten, më 1 qershor 2018, të vazhdohet seanca e ndërprerë dje, ndërsa të hënën Kuvendi të mblidhet në seancë të re plenare.
Më 10 qershor 2018, ndërkaq, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të mbahet seancë solemne, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare edhe më 14 qershor, në të cilën do të shqyrtojë disa projektligje dhe do të zhvillojë debate parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.