Arbëri

Deputeti malazez e quan Kosovën shtet kriminal e terrorist

Deputeti i koalicionit qeverisës në Mal të Zi, Vladimir Dobriçanin, i ka bërë thirrje qeverisë së vendit të tij, që t’i japë ultimatum 24-orësh Kosovës për lirimin e malazezit të arrestuar të hënën në Gazimestan.

Ai ka thënë se Mali i Zi duhet të ndërpresë marrëdhëniet me Kosovën dhe të mbyllë kufirin.

“Nëse nuk e liron Kosova, duhet të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet, duhet të mbyllen kufijtë dhe të dëbohet ambasadori i rremë i këtij shteti të rremë. Duhet të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet me një shtet të tillë kriminal e terrorist", ka shfryrë Dobriçanin në një video të postuar në Tëitter.

Vladimir Dobriçanin është deputet i partisë Mali i Zi i Bashkuar, pjesë e koalicionit qeverisës.

Deputeti malazez reagoi pas arrestimit të një banori të Podgoricës nga Policia e Kosovës, të hënën, teksa mori pjesë në festën e Vidovdanit.

Atij, sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

"Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.J. ka kryer veprën penale ‘Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit', pasi që më 28.06.2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht te monumenti i 'Gazimestanit', i pandehuri, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Gjykatës.