Kronikë

Një muaj paraburgim shtetasit malazez që u arrestua në Gazimestan

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim R.J , shtetas i Malit të Zi, i dyshuar për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”.

Sipas gjykatës "ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.J. ka kryer veprën penale 'Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit' pasi që me datën 28.06.2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i 'Gazimestanit', i pandehuri, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Më tutje në këtë njoftim thuhet se "i dyshuari gjatë manifestimit në përvjetori e njohur si 'Vidovdan', ai publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur, 'Vrite shqiptarin', 'Kosovën do ta lajmë me gjak', 'Kosova është Serbi', kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se 'shqiptarët do ta kenë ngushtë', duke rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës”.