Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputeti i VV-së skeptik se Projektkodi Civil do të shkojë në Kuvend këtë legjislaturë

Nasuf Bejta, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i Komisionit për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, është shprehur tejet skeptik se Projektkodi Civil do të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj legjislature.

Projektkodi Civil ka dështuar të miratohet në Kuvend pasi nuk ka marrë përkrahjen e disa prej deputetëve të pushtetit. Shkak është bërë pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Pavarësisht përpjekjeve, ende s’ka dakordim.

Sipas Bejtas, organet e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke diskutuar për këtë çështje me deputetët kundërshtues.

“Organet e partisë janë në debat për këtë çështje. Ka kohë të bisedohet, të debatohet për disa deputetë që kanë mendim tjetër. Frikën e kam që nuk do të vijë në Kuvend në këtë legjislaturë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Por vetë Bejta, që vjen nga radhët e Listës GUXO, ka thënë se personalisht nuk është kundër Projektkodit Civil dhe ligjit për shëndetin riprodhues, që dje sërish dështoi të miratohej në Kuvend.

“Unë e kam votuar edhe Projektkodin Civil dhe fertilitetin artificial. Unë atë çka bien në ujdi Komisioni parlamentar, do ta votoj. E di që punë ideale ka. Ne si deputet e kemi obligim t’i çojmë përpara disa çështje. Ka disa gjëra që nuk më pëlqejnë, por si deputet nuk duhet të shkelim të drejtat e askujt. Nuk jemi shteti i vetëm që do të lejojmë martesat e gjinisë së njëjtë. Duhet t’i japim kahe kësaj çështje. Është e drejtë e një komuniteti. Nëse mua si individ ka disa nene që nuk më pëlqejnë, nuk do të thotë që t’ia mohoj dikujt tjetër”, ka shtuar deputeti.

Edhe MD-ja s’e ndryshon nenin që lejon bashkësi civile për personat me sekse të njëjta Arbëri MD-ja s’e ndryshon nenin që lejon bashkësi civile për personat me sekse të njëjta

Bejta ka thënë se nëse ekspertët mjekësorë rekomandojnë miratimin e një ligji, atëherë është “punë e kryer”.

“Unë jam i diplomuar në inxhinieri dhe nëse ekspertët mjekësorë në atë Komision thonë se një ligj i tillë [për shëndetin riprodhues] duhet të kalojë, unë s’kam çka të them”, ka deklaruar ai.