Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në mbledhjen e sotme të Kuvendit i ka dhënë dy vota për shtyrjen e seancës ku duhej të shqyrtohej Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Njëra votë e Berishës ka shkuar në emrin e tij, tjera në emër të kolegut Muharrem Nitaj.
Kallxo.com posedon fotografinë ku shihet se deputeti i AAK-së Bekë Berisha ka shtypur butonët e dy pajisjeve votuese në Kuvend.
I kontaktuar nga Kallxo.com, Berisha e ka pranuar këtë veprim duke thënë se ka votuar edhe për kolegun e tij nga AAK-ja, deputetin Muharrem Nitaj.
“S’po di valla, s’po di, ndoshta më ka thënë Muharrem Nitaj, ka qenë ma andej dhe ndoshta më ka thënë me votu. Ishte ulur afër meje dhe më tha, e keni incizimin dhe e sheh”, tha Berisha.
E deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj për Kallxo.com e shpjegoi këtë situatë duke e pranuar se ai ka kërkuar të votohet edhe për të.
Edhe
Berisha: Të gjithë kandidatët e VV-së janë të njëjtë, unë do ta votoja cilindo prej tyre
“Ne ndonjëherë kur kthehemi prej pauzës dhe e din si janë të ulur deputetët dhe për mos e i çu nga vendi deputetët, ulemi në vendin tjetër. Unë kam qenë në sallë por karta ime ka qenë afër tij (Bekë Berishës) dhe i kam thënë me e shtyp (butonin)”, tha Nitaj.
Seanca për demarkacionin e nisur sot u shty për të mërkurën me votat pro të 60 deputetëve, derisa 30 prej tyre votuan kundër e një abstenoi.
