Thijs Reuten, deputet holandez në Parlamentin Evropian, ka thënë se i vjen turp nga shteti i tij dhe katër vende të tjera në Bashkimin Evropian, për “bllokimin” e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Të enjten, Në Bruksel për herë të parë është zhvilluar diskutimi në grupin punues të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas burimeve diplomatike të BE-së, diskutimi ka dëshmuar se ekziston një mbështetje e madhe në mesin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, por akoma ka shtete të cilat kanë edhe disa kërkesa që duan të adresohen para se të miratohet vendimi. Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, kësaj radhe nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë. Një regjistrim pastaj do të ishte i vlefshëm për tre vjet.
Ky “bllokim” është kritikuar nga Reuteni që ka thënë se i vjen turp që Holanda ka përkrahur propozimin e Francës.
“Shumë i turpëruar nga Qeveria e Holandës dhe katër të tjera. Pasi Kosova i përmbushi të gjitha kriteret më 2018, plus një raportim tejet pozitiv në kërkesën shtesë të Holandës, ata gjetën një arsyetim të ri për të shtyrë udhëtimin pa viza për Kosovën”, ka shkruar Reutern në Twitter të premten.
Ai ka shtuar se “Franca po i tregon qëllimet e vërteta sërish, kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve dhe përmbajtjes së rregullave”.
“Përafërsisht një milion evropianë në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa liberalizim vizash po shfrytëzohen për politika të brendshme, përkrahur nga Holanda, Belgjika, Suedia e Spanja”, ka shkruar ai.
Edhe
Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat zotohet për mosvonesa në proces
Në një postim tjetër, Reuteni ka thënë se përderisa kosovarët janë të izoluar, liderët evropianë po i thonë po lëvizjes së lirë nga Katari e Kuvajti.
Reuteni është pjesë e Parlamentit Evropian, si pjesë e Partisë së Punës, që nga viti 2021.