Për herë të 44-t, deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin. Edhe të mërkurën ngërçi ishte te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca e radhës do të mbahet të premten nga ora 11:00.
PDK-ja kërkon dorëheqjen e Sveçlës pas vdekjes së Agon Zejnullahut
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, të hënën në Lipjan.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, pas dështimit të seancës së 44-t për konstituim të Kuvendit, ka thënë se Sveçla duhet të japë dorëheqje si akt moral të përgjegjësisë politike dhe ligjore.
Ai tutje ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional për zbardhjen e rastit dhe vendosjen e përgjegjësisë.
“Ne kërkojmë përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të vërtetës të kësaj ngjarje tragjike që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme si një akt i padiskutueshëm moral i përgjegjësisë së tij politike dhe ligjore”, ka thënë ai.
Basha: Iu ofruam zgjidhje, por nuk po duan
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se deputetët e opozitës po e shkelin rregulloren për debat në seancë konstituive.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj tha se deputetët duhet të jenë prezent që të votojnë apo të abstenojnë, duke ua lënë dy forma të votimit, atë të fshehtë dhe të hapur.
Sipas tij, të njëjtit vazhdojnë të mbajnë qëndrime përkundër vendimit të Kushtetueses.
“Ka qenë oferta për marrëveshje teknike, po këta thanë nuk duan, ofruam marrëveshje politike, votim të hapur, votim të fshehtë, thanë që nuk duan. Është e papranueshme që po e mbajnë të ngujuar këtë proces”, ka thënë ai.
Haradinaj: Kurti e ka ndarë mendjen t’i bëjë keq Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se e ka ndarë mendjen për t’i bërë keq shtetit.
Në deklarimin e tij për media pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Haradinaj ka thënë se janë peng i Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka shtuar se Kurti dëshiron që afati 30-ditor të kalojë pa rezultate.
“Ne jemi peng i Vetëvendosjes dhe Kurtit. Ai nuk e ka shumicën politike, nuk dëshiron ta bëjë. Komisioni për votim të fshehtë u bë pa dakordim të Kuvendit, edhe presidentja tha,. Kërkojmë të kthehemi në kushtetutshmëri, jemi peng i tij. Ai e ka nda mendjen t’i bëjë keq Kosovës. Nuk ka nevojë për mocion, këta munden vetëm me u tërheq prej kësaj praktike jokushtetuese. Ai do t harxhoje këtë kohë të 30-ditëshit pa rezultate dhe e ka në dorë, mund ta bëjë”, ka thënë ai.
S’ka konstituim të Kuvendit as pas 44 përpjekjeve
Deputetët nuk e kanë konstituar Kuvendin as pas 44 përpjekjeve.
Edhe të mërkurën ngërçi ishte te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në sallë ishin 101 deputetë. Prej tyre, 55 votuan për.
Seanca e radhës do të mbahet të premten nga ora 11:00.
Pati disa fjalime nga deputetët e opozitës para se të dështonte seanca e sotme. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, mori fjalën kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partinë më të madhe opozitare ta propozojë një deputet për komision. Por në fjalim Behrami bëri thirrje të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses dhe të kthehet në votim të hapur. Fjala e tij u ndërpre menjëherë.
Edhe deputeti i LDK-së, Paris Guri, u përpoq të fliste, por pati ndërhyrje nga deputetët e VV-së. Ai vazhdimisht i kërkonte Fitore Pacollit “t’i kthejë 200 mijë euro që i ka vjedhur”, duke aluduar për grantet nga Ministria e Bujqësisë.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u shpreh se Albin Kurti duhet ta zhbllokoj situatë.
Pasi dështoi seanca, deputetët e tri partive opozitare vazhduan të qëndronin në sallë të Kuvendit. Kjo po bëhet si shenjë proteste “për mosrespektim të aktgjykimit të Kushtetueses nga partia që ka fituar më së shumti ulëse”. Ata madje mban fjalime në foltoren e Kuvendit.
Limaj: Zgjidhja është politike, rrugë tjetër s’ka
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se zgjidhja për konstituimin e Kuvendit duhet të jetë politike.
“Tash jemi gati në konsumimin e interpretimeve. Zgjidhja është vetëm për veprimet politike. Kjo po shihet, tanimë po kuptohet. Rrugë tjetër nuk ka. Sipas interpretimit tim, Kushtetuesja ka dashur ta dinamizojë zgjidhjen politike. Ka thënë të intensifikohen përpjekjet për zgjedhjet politike. Për vetë faktin se nuk ka thënë se çka pas 27 korrikut”, ka thënë ai.
Deliu-Kodra: Kuvendi po merret peng në kohën kur shteti ka shqetësime të shumta
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se edhe sot pritet të vazhdojë qasja e njëjtë që partia që ka fituar më së shumti ulëse do ta marrë peng Kuvendin në kohën kur, sipas saj, shteti ka shqetësime dhe probleme të shumta.
“PDK-ja do të respektojë aktgjykimin e Kushtetueses. Kemi deponuar disa vërejtje të tjera në gjykatë për shkak të mosrespektimit të partisë që ka marrë numrin më të madh të ulëseve dhe të marrim përgjigje për shkeljet në arbitraritet të plotë nga kryesuesi. Nuk pres që të kemi reflektim sot. Do të jetë qasja e njëjtë, e marrjes peng të Kuvendit në kohën kur shteti ka shqetësime dhe probleme të shumta. Po e përmend rastin e fundit në Lipjan”, ka thënë ajo para tentimit të 44-t të mërkurën.
Kusari-Lila: Sot të marrin pjesë në votim dhe të tejkalohet ky ngërç
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar para seancës konstituive se mënyra më e thjeshtë për të zhbllokuar situatën në Kuvend është pjesëmarrja në votim.
“Sot të marrin pjesë në votim – pro, kundër apo abstenim – dhe të tejkalohet ky ngërç. Kjo është më e thjeshta,” tha ajo.
Kusari-Lila theksoi se retorika politike duhet të kthehet në veprime konkrete, ndërsa kritikoi vazhdimin e fjalimeve në vend të zgjidhjes së ngërçit. Sipas saj, mungesa e pajtueshmërisë po i rikthen të gjithë te interpretimet ligjore dhe Gjykata Kushtetuese.
“Sot të marrin pjesë në votim, pro, kundër apo abstenim, dhe të tejkalohet ky ngërç. Kjo është më e thjeshta”, tha Kusari-Lila. “Kjo situatë duhet të zhbllokohet dhe ata mund ta përkthejnë këtë qëndrim nga retorikë në veprim konkret. Në ndërkohë që po dështon seanca ata po vazhdojnë me fjalimet e tyre. Kur ka mungesë të pajtueshmërisë po kthehemi të gjithë me interpretimet ligjore të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo.