Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar raportin vjetor të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017, duke thënë se AKP duhet të mbyllet për shkak se ka shkatërruar ekonominë e vendit.
Derisa deputetët e opozitës nuk morën pjesë as në vazhdimin e seancës plenare, në përjashtim të PSD-së, pati polemika gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017. Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se ky raport paraqet një shpërfaqje të punës operative e financiare të AKP-së, dhe të një modeli ekonomik totalisht të gabuar.
Ai tha se 70 për qind e importeve në Kosovë janë produkte ushqimore, teksa shtoi se nuk nevojitet asgjë e jashtëzakonshme që ekonomia kosovare të bazohet në kërkesë, duke prodhuar vet produktet që importohen. Për këtë ai tha se PSD-ja nuk do ta votojë raportin në fjalë.
“Raporti është i saktë, por është i saktë për një çështje dhe model ekonomik totalisht të gabuar. Nëse raportojmë saktë për gabime, atëherë ky është hap i mirë përpara, pra kemi progres, po raportojmë saktë për gabimet ekonomike të 18 viteve të fundit dhe mirë është kjo, sepse tash e kemi të gjithë të qartë se këtë Agjencion duhet me e mbyllë komplet... Ky Agjencion i Privatizimit e ka shkatërruar ekonominë dhe nuk kemi nevojë me vazhdu me të. Mundemi me marrë vendim politik dhe me thënë ‘e ndalim privatizimin deri sa vijmë me një program ekonomik që e revitalizon ekonominë e kësaj Republike’”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ë fokusohet në orientimin e tregut nga oferta tek kërkesa, në mënyrë që prodhimi të jetë fokusi kryesor.
Edhe
Pamundësia e ndaljes së privatizimit
Politikat ekonomike, sipas Sejdiut duhet të bëhen në funksion të vendeve të punës e jo të profitit.
Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, tha se asnjëherë nuk u hetua AKP-ja përkundër kërkesës së deputetëve për një gjë të tillë.
Ai foli edhe për hetimin e katër policëve të Kosovës për lëshim të informacionit për djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit.
“Sot inspektorati i Policisë të Kosovës hap hetime kundër policëve të cilët nuk kanë bërë absolut asnjë shkelje. Ndërsa ne nga foltorja e këtij Parlamenti, me dhjetëra herë kemi lyp hapjen e hetimeve ndaj Agjencionit të Privatizimit në Kosovë... Unë personalisht as nuk e përkrahi e as nuk e votoj këtë raport të këtij Agjencioni, por me pas fuqi magjike, unë nesër këtë Agjencion e kisha shkrirë krejt”, tha ai.
Pos AKP-së, Zeka shprehi shqetësimin edhe për ndërmarrjet publike, për të cilat tha se po udhëhiqen nga njerëz privatë e “mafiozë”.
Edhe
Pretendimet për mbylljen e AKP-së, deputeti Shala i quan mashtrime, reagon kryesuesi Hyseni
Në fund, raporti nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit. Edhe pse Kuvendi i Kosovës, pati në rend të ditës emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, nuk pati kuorum për votim.
I propozuar për kryesues ishte Ruzhdi Morina, ndërsa për anëtarë Frederick Artesani, Driton Qehaja, Ymer Ymeri dhe Behxhet Haliti./KSP