Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, ka thënë se në draft-ligjin për Fondin Sovran nuk parashihet shpërbërja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Në “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se Fondi është propozuar në fushatën parazgjedhore dhe qeveria ka ardhur në krye me premtimin për të. Por, sipas tij, në asnjë formë nuk shihet shuarja e AKP-së.
“Ajo që është pa në draft-dokument, kjo nuk parasheh mënyrë decidive apo të tërthortë shuarjen e Agjencisë së Privatizimit. Ajo që lexova është se do themelohet një institucion me emrin fondi sovran, por që i ka të gjitha karakteristikat e një banke, por bankë me kapital shtetëror. Në bazë të asaj që është pa, sipas burimit të mjeteve, do të jetë një institucion financiar shtetëror i themeluar për herë të parë në Kosovë”, ka thënë Shatri.
Shatri ka thënë se ky institucion shtetëror që do të formohej me emrin “Fondi Sovran” do të zgjidhte “problemin e punësimit të një strukture të caktuar qeverisëse, të një rrethi të ngushtë interesi”.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar këtë vit se procesi i shuarjes së AKP-së ka filluar, e se ky proces ka nisur me emërimin e bordit që ka mandat këtë veprim. Qeveria ka deklaruar se procesi i shuarjes është i ndërlidhur me formimin dhe funksionalizimin e Fondit Sovran.
Shatri ka thënë se ndërmarrjet nuk kanë mundur të menaxhohen mirë nga AKP-ja për shkak të numrit të madh të tyre dhe natyrës së tyre të punës si ndërmarrje ekonomike.
“Historia e zhvillimit ekonomik ka treguar se ndërmarrjet shtetërore vështirë menaxhohen me efikasitet sepse askush nuk është aq efikas ta menaxhojë kapitalin abstrakt të shtetit, sikur e menaxhon paranë e vet, si ta kishte pronën e tij”, ka thënë ai.