Të paktën dy deputete të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dhënë merita konsulentit të shumëpërfolur Gani Jakupi, për njohjen e pasaportave nga Spanja.
Të shtunën u bë e ditur se Spanja njeh pasaportat e Kosovës dhe se qytetarët mund të lëvizin lirshëm në Spanjë, si në zonat tjera të Schengenit. Dy deputetet, Jeta Statovci dhe Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, këtë e kanë ndërlidhur edhe me emrin e konsulentit Gani Jakupi, që në nëntor u bë kryetemë për shkak të pagesës prej 7500 eurosh në muaj.
Bazuar në kontratën e Jakupit, të angazhuar si konsulent i jashtëm për ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ai është angazhuar për të rritur mundësitë e depërtimit të Kosovës te shtetet që s’e kanë njohur pavarësinë dhe për të ofruar konsulencë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore. Për një vit sa është kohëzgjatja e kontratës, Jakupi do të paguhet 90 mijë euro. Opozita pati kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla, ndërsa vetë ministrja e pati quajtur modeste pagesën mujore për Jakupin.
“Dikur projekte lobuese milionëshe për ndarjen e Kosovës, sot projekte lobuese për bashkim të Kosovës së pa ndarë me perëndimin. Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë. Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit. Vazhdojmë!”, ka shkruar deputetja Jeta Statovci në Facebook, pas njohjes së pasaportave nga Spanja.

Ndërsa Kryeziu-Hyseni ka postuar një fotografi të Jakupit dhe kryeministrit Albin Kurti me Javier Solanën, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës dhe ish-sekretarin e NATO-s, dhe drejtorin artistik të Museut Del Prado, në Madrid të Spanjës në nëntor 2022. “Foto që kuptimësohet më shumë sot”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë vetë Jakupi, në një shkrim në Twitter, ka thënë se “duket se Spanja më në fund erdhi në vete”.