Deputeti i grupit parlamentar të Deputetëve të Pavarur, Sali Salihu ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të diskutojë për cilësinë e mishit të importuar në Kosovë dhe të ndërmerren masa të veçanta për këtë çështje.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se është shqetësuese cilësia e mishit të importuar.
Postimi i Salihut në Facebook:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Ajo çka po ndodh me cilësinë e mishit të importuar në Kosovë është shqetësuese. Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet, të diskutojë dhe të ndërmerr masa të veçanta për këtë çështje.
Prandaj, bashkë me deputetin Driton Çaushi, në emër të Grupi Parlamentar të Deputetëve të Pavarur nesër në mëngjes do të nisim një iniciativë me të cilën do të kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të organizojë një debat të veçantë në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.
Aktualisht Kosova importon sasi të larta të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim, mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun tonë.
Në mungesë të funksionimit të institucioneve të vendit, sidomos Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës si dhe doganave të Kosovës, vendi ynë Kosova është bërë poligon i futjes së mallrave më cilësi dhe siguri ushqimore të ulët të ushqimit nga vendet fqinjë dhe më gjerë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik te qytetarëve tanë.