Kuvendi i Kosovës do ta nisë punën për sesionin e ri me 49 projektligje të bartura nga vitet 2021 dhe 2022. Që në mbledhjen e parë të Kryesisë, të hënën, në rend dite do të jenë pikët e papërfunduara nga shtatori i shkuar. Për këtë vit legjislativ në partinë në pushtet thanë se prioritet do t’u jepet projektligjeve në procedurë e në opozitë kanë bërë zotime për konstruktivitet brenda Kuvendit
Sesioni i ri i Kuvendit do të nisë me agjendë të vjetër. Kryesia e Kuvendit do ta fillojë mbledhjen e parë të sesionit pranveror të hënën me trajtimin e pikave të papërfunduara që nga shtatori i vitit të shkuar.
Bazuar në evidencën e ligjeve të Kuvendit, 40 është numri i projektligjeve të pamiratuara që janë bartur nga viti i shkuar në agjendën e sivjetme, ani se ajo ende nuk i është proceduar Kuvendit nga Qeveria. E në proces shqyrtimi janë edhe 9 projektligje të tjera nga viti 2021.
Mes tyre është ai për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për pagën minimale, Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, si dhe kërkesa e 17 mijë qytetarëve për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti.
Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se fokusi gjatë sesionit të ri do të përqendrohet te miratimi i draftligjeve të papërfunduara nga dy vjetët e fundit.
“Mendojmë që projektligjet që tashmë janë trajtuar në lexim të parë dhe presin të hyjnë në lexim të dytë janë shumë të rëndësishme të trajtohen. Prandaj, sigurisht se fokusi ynë do të jetë në ato projektligje që tashmë janë në procedurë në Kuvend”, ka thënë deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu.
Nga partitë opozitare kanë dhënë zotime për konstruktivitet në përmirësimin e ligjeve që do të jenë në shqyrtim gjatë këtij sesioni.
Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike, ka thënë se po qe se fuqia e deputetëve të kësaj partie për ndryshimin e tyre nuk do të jetë e mjaftueshme brenda Kuvendit, atëherë ky subjekt do të vazhdojë t’i kontestojë ligjet në instanca të tjera shtetërore.
“Do të jemi kontribuues të mëdhenj në proces të përmirësimit të ligjeve dhe në rastet e tjera, besoj e keni parë edhe ju gjatë këtij viti që shkoi, që disa nga ligjet jemi detyruar që t’i procedojmë në Gjykatë Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tyre, për shkak, të themi, edhe tendencës negative të qeverisë për të shkatërruar shumë sfera të jetës në Kosovë, por edhe për shkak të shkrimit tejet të dobët të ligjeve që na procedohen në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Selmanaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, pati njoftuar më herët se deputetë të subjektit të tij do të jenë aktivë dhe të përgjegjshëm në Kuvend dhe se do ta shtojnë intensitetin e punës me nisma ligjore.