Deputetja britanike, Alicia Kearns, që e para alarmoi për armatimin e madh serb në kishat në Kosovë, ka parë nga afër arsenalin e armëve që kapi Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit në Banjskë.
Siç ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kearns ka takuar edhe policët me të cilët ka diskutuar për sfidat për luftimin e krimit.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me Policinë e Kosovës të presim deputeten e nderuar dhe kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës. Me këtë rast falenderuam edhe sensibilizimin ndërkombëtar që znj. Kearns pati bërë me rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale. Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup i uniformuar dhe armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, ky grup u fsheh fillimisht në Manastirin e Banjskës. Tre prej tyre u vranë, ndërsa shumica e grupit arriti të ikte. Gjatë aksionit Policia kapi armatim në vlera milionëshe. U konfiskuan edhe dhjetëra vetura.
-
Kearns: E shqetësuar me sulmin e orkestruar ndaj forcave të rendit në Kosovë
-
Osmani dekoron Kearnsin e cila alarmonte që serbët po kontrabandonin armë në kishat ortodokse
-
Osmani pret në takim deputeten britanike, Alicia Kearns
-
Deputetja britanike që alarmoi para Banjskës: Kërcënimi në Ballkan, gjithmonë i pranishëm
-
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën