Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dëmtohet simboli i UÇK-së në Kaçanik, policia nis hetimet

UÇK

Policia e Kosovës ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka pranuar informatën për dëmtimin e simbolit me tri shkronjat e UÇK-së në vendin e quajtur “Guri i Shpuar” në Kaçanik.

Siç ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, në afërsi të monumentit është vërejtur edhe një zjarr i cili dyshohet që e ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave.

Koha e ngjarjes nuk dihet derisa dyshohet që simboli u dëmtua nga persona të panjohur.

“Më 17.05.2026, rreth orës 09:45, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një informatë për dëmtimin e simbolit me tre shkronjat e UÇK-së në vendin e quajtur “Guri i Shpuar”. Nga hetimet e para dyshohet se simboli është dëmtuar nga persona të panjohur, ndërsa nuk dihet koha e saktë e ngjarjes. Në afërsi të monumentit është vërejtur edhe një zjarr, që dyshohet se ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave”, thuhet në përgjigjen e Veselit.

Në vendin e ngjarjes përveç patrullës policore ka dalë edhe shefi i operativës si dhe zyrtarë komunalë e përfaqësues të OVL-UÇK-së.

Rastin e ka dënuar dega e OVL-UÇK-së në Kaçanik. Përmes një reagimi në Facebook, kanë shkruar se shprehin indjatën e thellë për këtë veprim nga kushdo që është kryer.

Edhe Arrestohet një polic në Kaçanik, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një qytetari Kronikë Arrestohet një polic në Kaçanik, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një qytetari

“OVL e UÇK-së dega në Kaçanik, shprehë indinjatën e thellë mbi këtë aktë barbar, njëherit edhe e dënon ashpër, kushdo qoftë prapa kësaj vepre të ndytë!”, thuhet mes tjerash në reagim.

Rasti është iniciuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të policisë.