Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dëmtohet pllaka përkujtimore kushtuar 43 ushtarëve sllovakë të KFOR-it që vdiqën derisa po ktheheshin nga Kosova

Prishtinë, 8 shtator - Sërish është dëmtuar pllaka përkujtimore, kushtuar 43 ushtarëve të KFOR-it të cilët vdiqën në një aksident ajror afër kufirit Hungari-Sllovaki, kur po ktheheshin në atdhe pas shërbimit nga Kosova, bën të ditur Koha.net.

Aksidenti kishte ndodhur në vitin 2006, ndërsa pllakën përkujtimore në Parkun e Prishtinës, që u kushtohej atyre, në janar të vitit 2016 e zbuluan presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak.

Në këtë mënyrë Kosova nderonte ushtarët e këtij vendi që i kishin shërbyer paqes e sigurisë në Kosovë, të çliruar pas dekadave të dhunës e represionit të regjimit serb, që kulmoi kur pushtetin e mori diktatori Sllobodan Millosheviq.

Shefi i diplomacisë sllovake, Lajçak, me këtë rast ishte shprehur se këta ushtarakë kishin mision të japin më të mirën për të ardhmen e Kosovës, ndërsa presidentja e Kosovës Jahjaga, se humbja e ushtarëve sllovakë ishte më e madhja që i kishte ndodhur misionit të NATO-së në Kosovë, rikujton Koha.net.

{gallery}

“Këta 43 paqeruajtës dhe mijëra të tjerë që kaluan nëpër Kosovë, janë pjesë e pandashme e historisë sonë të re. Kosova gjithmonë do të jetë falënderuese për kontributin e tyre dhe këtë sakrificë sublime”, tha Jahjaga.

Edhe Rikthehet në vendin e vet pllaka përkujtimore me emrat e ushtarëve sllovakë në Parkun e Prishtinës Arbëri Rikthehet në vendin e vet pllaka përkujtimore me emrat e ushtarëve sllovakë në Parkun e Prishtinës

Pllaka me emrat e 43 ushtarëve dhe vetëm sqarimin kush ishin ata dhe si kishte përfunduar jeta e tyre është dëmtuar edhe disa herë më parë, ndërsa e ka rirregulluar FSK-ja, që ka marrë për sipër përkujdesjen për të.

Sot pllaka me emrat e ushtarëve sllovakë ishte përmbysur, nuk dihet për shkak se do të ketë qenë teknikisht e papërforcuar mirë, apo nga dorë e ndonjë a më shumë vandalëve, që ndryshe nga ç’na mëson tradita, nuk i respektojnë miqtë, aq më parë të vdekur.