Arbëri

Demolohet dhe plaçkitet objekti i AMF-së në Banullë të Lipjanit

Banorët e fshatit Banullë të Komunës së Lipjanit tash e disa vjet po ballafaqohen me problemin e demolimit dhe plaçkitjes së objekteve publike nga persona që ende nuk janë identifikuar. Për rastin më të fundit të këtillë në ambulancën jofunksionale të fshatit, banorët dhe institucionet komunale kanë informuar policinë

Persona ende të paidentifikuar kanë demoluar dhe kanë vjedhur të gjithë inventarin e objektit të ambulancës së mjekësisë familjare në fshatin Banullë të Lipjanit.

Objekti ishte lënë jashtë funksionit për disa vjet, si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, që ishte dërguar në Lipjan për të ofruar shërbime mjekësore për pacientët e prekur nga COVID-19.

Lidhur me demolimin, banorët dhe institucionet komunale të martën kanë njoftuar edhe Policinë, e cila i ka nisur hetimet.

“Gjatë pandemisë ka qenë e mbyllur dhe jofunksionale për arsye se ekzekutivi i ka dërguar mjekët në QKMF në Lipjan, ka qenë funksionale, por nuk ka punuar për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve. Ne e kemi ngritur këtë shqetësim, por nuk kemi marrë përgjigje nga ekzekutivi, tash, siç po e shihni, nuk janë bërë as 5 muaj që e kemi ngritur këtë shqetësim dhe tash është vjedhur e gjitha dhe është demoluar e gjitha në mesin tonë dhe para syve të institucioneve dhe askush nuk jep përgjegjësi”, ka thënë Arsim Jashari, banor i fshatit Banullë dhe kuvendar nga radhët e PDK-së.

Në këtë fshat demolime dhe vjedhje të ngjashme kanë ndodhur edhe në të shkuarën, kur ishin dëmtuar një shkollë fillore dhe një e mesme, si dhe një fushë sportive.

“Këto dukuri dhe kjo praktikë është edhe në fshatra të tjera të Komunës së Lipjanit. Komuna nuk po arrin që të gjejë një mekanizëm se si t’i qaset kësaj praktike që t’i parandalohet demolimi i objekteve, që shumë prej tyre, të themi kështu, e kanë njëfarë rëndësie historike për shkak të funksionit që e kanë luajtur në kohë”, ka treguar Alban Salihu, banor dhe kuvendar nga LVV-ja.

Aktin e demolimit dhe vjedhjes së inventarit në objektin e ambulancës e kanë dënuar institucionet komunale në Lipjan.

Shkëlzen Hajdini, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN ka bërë të ditur se policia tashmë është informuar mbi ngjarjen.

Ai ka konfirmuar se ambulanca nuk ka ofruar shërbime mjekësore që nga viti 2018.

E Policia e Kosovës gjatë së martës nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve të KOHËS lidhur me rastin.