Arbëri

Demolli akuzon Kurtin për propagandë: S’ia vlen anëtarësimi në KiE në shkëmbim të Asociacionit

Donjeta Demolli - PSD

Donjeta Demolli nga Partia Socialdemokrate (PSD) e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij për propagandë.

Sipas saj si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar Qeveria nuk ka shënuar asnjë progres. 

“Investimi i vetëm, kryesor, i vazhdueshëm i zotëri Kurtit është në propagandë edhe në qasjen popullsite, investimi i tij është në perceptimin e elektoratit në raport me të, në një moment kur e ka të nevojshme paraqitet sikurse është rezistent, është lideri i vetëm i cili i sfidon edhe nivelet më të larta të udhëheqjes në Shtëpinë  e Bardhë, e në një moment tjetër kur i konvenon për ta ruajtur pushtetin, e bën kompromisin”, ka theksuar ajo.

Demolli të hënën në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se në këmbim të mbajtjes së pushtetit, Kurti vazhdimisht ka bërë kompromise. 

Një të tillë sipas saj do të bëj edhe me dërgimin në Kushtetuese të draftit të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

“Nëse nisemi nga marrëveshja e Brukselit, nga takimi në Ohër, ne aty e kuptojmë që Asociacioni është në qendër të asaj marrëveshjeje dhe në shkëmbim të Asociacionit ekziston mundësia që Kosova të anëtarësohet në organizata të ndryshme, që në këtë rast e kemi Këshillin e Evropës”, është shprehur Demolli.

Sipas saj kjo është edhe kërkesa e ndërkombëtarëve. 

“Në deklarata që i kemi lexuar kohëve të fundit janë që faktikisht kërkesa është mjaft eksplicite që të dërgohet Asociacioni në Kushtetuese në mënyrë që të jepet mundësia për anëtarësim në Këshill të Evropës”, ka deklaruar Demolli.

Edhe pse ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është tejet i rëndësishëm, kjo sipas saj nuk ia vlen.

“Nuk ia vlen që ne të pranojmë një autonomi, një federalizim të Kosovës, një bllokadë në zhvillimin e Kosovës, nuk ia vlen që ne ta dorëzojmë mundësinë e njohjes nga ana e Serbisë dhe njohjes së pesë shteteve të Evropës”, ka theksuar Demolli.

Ajo ka theksuar se do të bëjnë punë në terren në mënyrë që të bëhen pjesë e Parlamentit të Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që si ka thënë “të ja bëjnë opozitën siç duhet këtij pushteti që edhe në mandatin e ardhsmë do të jetë i fuqishëm”. 

“Mbledhjen e rregullt të Këshillit të PSD-së e mbajtëm në një situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon Kosova, ku pritet të firmoset, të bëhet realitet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si rezultat i dialogut në të cilin qeveria e Kosovës është përfshirë nga fillimi i mandatit. PSD-ja e ka një përgjegjësi të lartë, sepse siç e dimë është opozita e vetme ndaj këtij pushteti, është opozita e vetme që e ka sfiduar pushtetin që nga fillimi, për dallim prej partive të tjera që për shkak të disa faktorëve kanë bërë një pushim opozitar”, ka deklaruar Demolli.

Ajo ka thënë se në zgjedhje do të shkojnë si parti e vetme dhe nuk do të bëjnë koalicion me asnjë nga partitë aktuale, pasi ajo ka theksuar se kanë qëndrime e parime të ndryshme nga to për shumë çështje.