Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demolli: Kurti ka dështuar në dialog, shpreson të mos e pranojë Serbia marrëveshjen

Donjeta Demolli nga Partia Socialdemokrate ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka dështuar në dialogun me Serbinë, e sipas saj, ai po shpreson që Serbia të mos e pranojë marrëveshjen.

Sipas Demollit, Kosova me Kurtin kryeministër ka humbur në dialog duke bërë kompromise të mëdha, duke shtuar se “Kosova ka marrë përgjegjësi për pranimin e draftstatutit të Asociacionit”.

“Ne po humbim në dialog dhe po bëjmë kompromise të mëdha. Qasja e Kurtit është ‘shpresojmë që s’na njeh Serbia dhe s’e pranon marrëveshjen’. Juridikisht jemi të obliguar nëse pranojmë diçka në rrafshin ndërkombëtar ta zbatojmë, e kjo po del të jetë për konsum të brendshëm për të manipuluar opinionin publik. Kurti ka pranuar diçka më të keqe se 2013-a dhe 2015-a. Kemi pushtet paralel e kjo do ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës për dekada me radhë”, ka thënë ajo në Interaktv të KTV-së të mërkurën.

Zyrtarja e partisë joparlamentare është shprehur se drafti i publikuar së fundmi në media mund të jetë me përqindje të madhe origjinali, e sipas saj, ky draft është i dëmshëm.

“Ky draft s’është mohuar nga ana e Qeverisë, ky draft lë të kuptojë se është afër nga drafti final. Është problematik dhe do të dëshiroja që ky draft të mos ishte i vertetë dhe të refuzohej vërtetësia e tij. Por, një përqindje e madhe e këtij ka mundësi të jetë ajo që po diskutohet në Bruksel. Edhe nëse e gjykojmë nga përmbajtja, kemi disa probleme serioze”, është shprehur Demolli.

Sipas Demollit, paralajmërimet e PSD-së për menaxhimin e dialogut nga Kurti janë bërë realitet, pasi sipas saj, veprimet e kryeministrit “janë propagandistike për konsum të brendshëm”.

Edhe Demolli akuzon Kurtin për propagandë: S’ia vlen anëtarësimi në KiE në shkëmbim të Asociacionit Arbëri Demolli akuzon Kurtin për propagandë: S’ia vlen anëtarësimi në KiE në shkëmbim të Asociacionit

“Rreziqet që vijnë nga Asociacioni i disbalancojnë të mirat (e marrëveshjes). Perspektiva në raport me pranimin e marrëveshjes do të mund të shihte diçka pozitive nëse do të flitej për njohje nga 5 vendet mosnjohëse e anëtarësim në organizata. Ky premtim s’është fare pjesë e agjendës dhe njohja de facto është term i ri manipulues, propagandues që po e përdor pushteti, por s’ka efekte. Siç e dimë edhe në të kaluarën, kryeministri Thaçi pati folur për njohjen de facto por efektet reale janë nga njohja de jure”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, në raport me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, aspektet e mira nga marrëveshja me Serbinë, për Kosovën janë të pakta.