Arbëri

Demi: Pandemia s’duhet të përdoret si arsye as për të mbetur në pushtet, e as për të ardhur

Foto: Koha

Analisti politik Agron Demi ka thënë se pandemia COVID-19 nuk duhet të përdoret nga politikanët në vend as si arsye për të mbetur në pushtet, e as për të ardhur.

Pak pasi aktivistë të grupit “meKryeministrin” mbajtën “prova” për protesta, Demi ka thënë se rrëzimi i Qeverisë në kohë pandemie dhe refuzimi për të aprovuar ligj për masat kundër koronavirusit ishte lojë e rrezikshme me shëndetin e qytetarëve po aq sa edhe organizimi i protestave me qindra apo mijëra pjesëmarrës.

“Rrëzimi i qeverisë në kohë pandemie dhe refuzimi i Kuvendit për të aprovu një ligj për masat kundër koronavirusit ishte lojë e rrezikshme me shëndetin e qytetarëve. Por, po aq rrezik për shëndetin publik është edhe organizimi i protestave me qindra apo mijëra pjesëmarrës, në kohën kur është në fuqi ende vendimi i qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes. Nëse 120 deputetë u dashtë të pajisen me leje për të marr pjesë në seancë të Kuvendit, çfarë leje duhet me pas qytetarët për protesta në kohën kur rrezikohet shëndeti i të gjithëve?” ka shkruar Demi në Facebook.

Sipas tij, për shëndet të demokracisë protestat janë të domosdoshme, por “më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve”.

“Pandemia nuk duhet me u përdorë si arsye as për të mbetë në pushtet, e as për të ardhë në pushtet”, ka vazhduar Demi.

Demi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese se a duhet t’i jepet mandati për formim të Qeverisë LDK-së, apo duhet që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, s’do t’i bie “tamam” të gjithëve. Por ai ka thënë se ky vendim nuk duhet të kundërshtohet me protesta.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka me i 'ra tamam' të gjithëve, por ai nuk duhet të kundërshtohet me protesta. Për vetë faktin se të gjitha partitë iu kanë drejtuar kësaj gjykate dhe po e presin opinionin e saj, nënkupton se e kanë pranuar gjykatën si arbitër neutral. Më parimore do të ishte që fare mos të kërkohej interpretimi i Gjykatës, nëse dikush mendon se Gjykata është e anshme, se sa të respektohet kjo Gjykatë në mënyrë selektive”, ka përfunduar Demi.