Arbëri

Deliu-Kodra mbron Thaçin në kërkesën e tij që t’i ndalohet Hotit negocimi për Asociacionin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i ka dalë në mbrojtje presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pasi ai kërkoi një rezolutë urgjente nga Kuvendi i Kosovës për t’ia ndaluar kryeministrit Avdullah Hoti që të negociojë çështjet e brendshme të Kosovës në dialogun me Serbinë, një ditë para takimit në Bruksel.

Edhe pse ka thënë se partia e saj ende s’ka një qëndrim për kërkesën e presidencës, Deliu-Kodra në Interaktiv të KTV-së ka shtuar se Thaçi është ndër njerëzit më të informuar për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë.

“Kemi kuptuar përmes raportimeve në media. Ajo që dua të them sot është se nëse dikush është i njoftuar me procesin dhe ka informacione, padyshim është presidenti Thaçi. Ne si grup do të kemi qëndrimin tonë”, ka thënë ajo.

Presidenca e ka quajtur “gabim të madh dhe të rrezikshëm” hapjen e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit, ndërsa Hoti ka thënë se ka përpjekje për shtrembërim me informata. Kjo, sipas Deliu-Kodrës, nuk qëndron.

“Nuk e besoj që qëndrojnë deklaratat e Hotit. Ai (Thaçi) ka qenë bartës i këtij procesi dhe është ndër më të informuarit për dialogun, por edhe me përvojën paraprake ka memorie institucionale e background të dialogimit e është e pakuptimtë të thuhet se i mungon informacioni lidhur me këtë proces”, ka shtuar ajo.

Deputetja e PDK-së ka kritikuar Qeverinë Hoti se nuk i është përmbajtur premtimeve se do të shkojë në Washington në fillim të shtatorit për njohjen reciproke me Serbinë.

“Pas takimit të Washingtonit kemi shfaqur qëndrimet tona dhe kemi bërë të ditur se përkrahim SHBA-në si ndërmjetëse. Shqetësimet tona ishin me delegacionin tonë sepse janë rikthyer temat që kanë marrë epilogun. Kemi pas shqetësime në temat. Është dëgjuar disa herë që ka thënë se shkon për njohje të ndërsjellë. E nesër do ta pyesim ku janë këto qëndrime. E dimë që ka thënë se shkon vetëm për njohje. Jemi në përfundim të procesit të gjatë dhe kemi pritur të marrë epilogun e të marrë njohje. Mendojmë se ka humbur momentumin për këtë”, ka thënë ajo teksa e ka quajtur të habitshme se si “Kosova ka lejuar të kthehen disa tema”.

Deliu-Kodra ka thënë se Qeveria Hoti është treguar joserioze në qasjen e saj për dialogun.