Arbëri

​Delawie: Qeveria e re të punojë për të mirën e qytetarëve

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka lavdëruar sot mbajtjen e zgjedhjeve në vend, duke thënë se tash pret formimin e qeverisë së re të Kosovës, e cila do të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve të saj.

Ai këto komente i bëri me rastin e pritjes mirëseardhëse për të diplomuarit e programeve studimore master, të cilët i ka përgëzuar për të arriturat e tyre.

Duke folur rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, diplomati amerikan Delawie tha se ato ishin demokratike dhe se u takon tash të zgjedhurve të ri të popullit që të formojnë qeverinë e vendit, përcjell kp.

“Këtë javë vendi juaj po ashtu arriti diçka të rëndësishme me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike të dielën, ju dhe bashkëqytetarët tuaj kanë folur dhe tash puna qëndron te përfaqësuesit e ri të zgjedhur që të formojnë qeverinë që do të punojë në interesin më të mirë të juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Zgjedhjet fer dhe kredibile janë esenciale për demokracinë”, ka thënë ai.

Delawie duke iu drejtuar të diplomuarve të programeve studimore Master, tha se ata kanë marrë shkathtësi dhe dijeni të thella, por ajo që do të bëjnë tash është pjesë e përkushtimeve të vërteta në suksesin afatgjatë.

Ai ka porositur ata që të punojnë për të mirën e vendit të tyre, pasi që Kosova ka nevojë për investime më të mëdha, duke thënë se me padurim pret se çfarë ata do të bëjnë në të ardhmen.

Vullnetari i parë për punën në institucione, Egzon Bajrami, njëkohësisht fitues i bursës së USAID-it dhe Qeverisë së Kosovës, ndjehet mjaft i kënaqur me përvojën dhe këtë arritje ku ai së bashku me kolegët qëllimin kryesor kishin që të përfundojnë disa orë vullnetare për organizata të ndryshme.

“Për mua ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme me iu ndihmuar këtyre organizatave dhe me iu ndihmuar me kapacitet e mia aq sa kam pas. Tash është edhe më e rëndësishme që grupi i dytë i bursistëve është kthyer këtë vit dhe besoj që këta do të angazhohen për organizata të ndryshme që t’i shërbej për të mirë vendit. Besoj që gjatë verës kemi me krijuar edhe Asociacionin e bursistëve të USAID-it ku do ta kemi një asociacion të përbashkët me i arrit qëllimet tona të ardhmen varësisht prej nevojave,” ka thënë Bajrami.