Arbëri

Dekretohen gjyqtarët e rinj të Kushtetueses

Sot janë dekretuar gjyqtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ceremonia e betimit e gjyqtarëve të rinj para kryetarit Hashim Thaçi është zhvilluar sot dhe e pranishme ka qenë edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi, që sot e kanë dhënë betimin, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë.