Arbëri

Deklarata e Kurtit për rrezik lufte shihet si mesazh për ndërkombëtarët

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka pritur në takim ambasadorët e BE-së dhe të vendeve të QUINT-it. Sipas Zyrës së tij, me ta, ndër të tjera, është diskutuar për situatën e sigurisë në vend e rajon. Takimi me ta vjen një ditë pasi kreu i Qeverisë deklaroi se gjasat janë të larta që në Kosovë të ketë luftë.

Deklarimi i kryeministrit Albin Kurti se gjasat janë shumë të larta që të ketë luftë në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta.

Përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar atë se është duke ndjellë frikë, në vend se të përçojë mesazhe pozitive.

Kreu i Qeverisë, sipas profesorit Dritëro Arifi, përmes deklarimeve për luftë është duke përçuar porosi te ndërkombëtarët.

“Mendoj që kryeministri Kurti ka dashur të dërgojë një mesazh te bota perëndimore sidomos në situatën ku gjenden sot Rusia dhe Ukraina, që të ndërmarrin hapa që të evitojnë çdo konflikt të mundshëm në të ardhmen e afërt”, ka thënë Arifi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Siguria në vend e rajon ka qenë temë diskutimi në takimin që të martën e kishte kryeministri Albin Kurti me përfaqësues të BE-së e të shteteve të QUINT-it.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit me ambasadorët ndërkombëtarë, janë diskutuar edhe bisedimet me Serbinë e marrëveshja për zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë.

“Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u diskutua për marrëveshjen mbi zbatimin e Udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit. Gjithashtu u fol edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe për gjendjen e sigurisë në vend e rajon. Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhej në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për të përditshëm italiane "La Repubblica" ka thënë se gjasat për luftë në Ballkanin Perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë rritur pas luftës së Rusisë në Ukrainë.