Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me tri projektligje: Projektligjin për Noterinë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore, si dhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë në Kosovë, njofton kumtesa zyrtare, transmeton Koha.net .
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të Odës së Noterëve dhe atyre të Avokatëve, përfaqësues të USAID-it, përfaqësues nga BIRN dhe organizata Polis, si dhe përfaqësues tjerë nga shoqëria civile, të cilët dhanë kontributin e tyre gjatë diskutimit në këtë dëgjim, me propozime dhe vërejtje të shumta që kanë të bëjnë me këto tri projektligje.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, sqaroi se deri ditën e premte mund të dorëzohen të gjitha vërejtjet edhe me shkrim për këto tri projektligje dhe se diskutimet që do të dalin edhe nga ky debat do të merren parasysh nga grupet punuese gjatë shqyrtimit të këtyre projektligjeve.
Ajo paraqiti vërejtjet e saj për këto projektligje, të cilat po ashtu i ka dhënë edhe paraprakisht në mbledhjet e Komisionit. Me theks të veçantë, ajo foli për Ligjin për noterinë dhe shfaqi shqetësimin lidhur me tarifat e larta të noterëve për qytetarët. Sa i përket Ligjit për trashëgiminë, ndërkaq, ajo tha se nuk janë marrë parasysh vërejtjet që kanë të bëjnë me procedurat për trashëgiminë, duke përmendur me këtë rast edhe shqetësimet që janë hasur lidhur me heqjen dorë nga trashëgimia.
Avokati Admir Salihu gjatë fjalës së tij paraqiti një sërë vërejtjesh në Ligjin për noterinë, ndërkaq tha se po ashtu duhet të hiqet edhe kufizimi për banorë. Duke prekur disa nga çështjet që kanë të bëjnë me kriteret për profesionin e noterëve, u përmend mes tjerash si një mundësi edhe provimi i jurisprudencës për noterët.
Në këtë takim, nga të pranishmit u tha po ashtu se noterët duhet të kenë qasje në të gjitha regjistrat elektronik, ndërsa u përmendën edhe një varg shqetësimesh dhe gabimesh që janë hasur në nene të caktuara të këtij projektligji.