Përveç gropave, dëmtimet më të mëdha në rrugët e kryeqytetit po bëhen rreth pusetave.
Deformimi i tyre në të gjitha rrugët, madje edhe tek ato të cilat po riasfaltohen, po shihet si problemi më i shpeshtë për qytetarët që përdorin veturat.
Sipas tyre, Komuna është fajtore që bën pranimin e rrugëve, përderisa cilësia e ndërtimit të tyre është e dobët.
Ndërsa eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, tregon arsyen pse vjen deri te deformimi i pusetave.
“Deformimi i shaktave vjen për shkak të mosmirëmbajtjes dimërore dhe verore dhe për shkak të mosvendosjes në bazë të standardeve të ndërtimit. Në rast se shaktat vendosen mbi apo nën sipërfaqen e rrugës, atëherë sigurisht që aty do të ketë depërtim të ujit dhe depërtimi i ujit gjatë sezonit dimëror nëse nuk mirëmbahet plasaritet sipërfaqja e rrugës dhe krijohet ajo që e quajmë gropë goditëse. Saktësisht shaktat vijnë deri te plasaritja edhe nga ngarkesat”, tha Dodaj.
Sipas tij, Komuna e ka fajin që bën pranime të rrugëve me probleme të tilla, duke theksuar se siguria në komunikacion ka dështuar.
“Çfarë fushe kanë qenë ata që bëjnë pranimin teknik dhe çfarë fushe është ai që i ka mbikëqyr. A ka ai njohuri rreth kësaj çështjeje. Këtu duhet të jetë personi që e bën pranimin teknik, një ekspert i komunikacionit. Më së shumti që duhet të mbajë siguri është Komuna. Në qoftë se Komuna nuk i ka nën mbikëqyrje ekspertët ose drejtorët e Urbanizmit, atëherë mund të themi se Prishtina ka degraduar sa i përket sigurisë në komunikacionin rrugor. 2 vjetët e fundit është një degradim tejet i madh”, tha ai.
Komuna e Prishtinës ka pranuar se ka deformime të pusetave, por nuk ka dhënë përgjegjësi pse deri më tani është bërë pranimi i punimeve në rrugë me cilësi jo të duhur.
“Pusetat në kanalizimet ekzistuese të vjetra pësojnë ulje shkaku i fundosjes së unazës së gypit në tokën e lagësht, kurse ju informoj se tani kur të punohen kanalizimet e reja do të vendoset baza e re e armaturës, ashtu që të mos pësojnë ulje në të ardhmen. Edhe kur të riasfaltohen rrugët nuk mund të ndërhyjmë në kanalizimin pa u punuar i riu”, deklaroi Halil Fejziu nga Drejtoria për Investime Kapitale.
Megjithëse ka shumë gropa dhe deformime të asfaltit në rrugë dhe trotuare, Komuna e Prishtinës ka ndarë vetëm 300 mijë euro për sanimin e tyre.