Arbëri

Deda pret që bashkëpunimi LAA-VV të mos mbetet peng i postit të kryeministrit

Ilir Deda, nënkryetar i Alternativës, ka thënë se LDK-ja dhe Vetëvendosje duhet të heqin dorë nga kushti për kryeministër, në rast të bashkëpunimit të dy subjekteve politike.

Deputeti i LAA-së thotë se dy subjektet duhet të tërhiqet nga ky kusht dhe të nxjerrin një kandidat tjetër për pozitën e kryeministrit, e jo Albin Kurti i Vetëvendosjes ose Avdullah Hoti i koalicionit LAA, në rast se një gjë e tillë do të ishte pengesë për krijimin e një bashkëpunimi.

“Pas deklaratës së Kurtit javën e kaluar se nuk do ta mbajë peng Kosovën në krijim të qeverisë sepse ai është i nominuar për kryeministër, duhet t’ia lëmë kohës. Një hap i tillë andej do të hapë rrugë për ndryshim edhe kah koalicioni jonë. Të ketë ndryshim në pozicionin e LDK-së dhe të gjejmë një kandidat apo kandidate, kryeministër apo kryeministre, i pranueshëm për të dy palët, por jo dikë jashtë partive politike dhe jo dikë jashtë Parlamentit të Kosovës. Ka njerëz të mjaftueshëm që kanë legjitimitet popullor dhe dije e përvojë që të marrin atë pozitë. Duke marrë parasysh deklaratën e Albinit që ai është në gjendje të tërhiqet, pse të mos bëjmë edhe ne”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Deda ka shtuar se nuk është me rëndësi se kush bëhet kryeministër, por me rëndësi është puna e qeverisë.