Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka shprehur bindjen se, siç e ka quajtur ai aventura e Thaçit për themelimin e ushtrisë përmes Ligjit, e ka kthyer prapa procesin.
E ka humbur kredibilitetin e çështjes, ka thënë ai.
Në “Interkativ” të KTV-së, ai ka thënë se të gjithë e kanë ditur se si duhej themeluar ushtria.
“Ideja ka qenë që një Komision me deputetë nga të gjitha partitë politike në Kosovë të diskutonte me qytetarët e piakicave etnike në Kosovë dhe tu dëshmonte atyre se Ushtria e Kosovës nuk është në disfavor të tyre”, ka thënë Deda. “Po ashtu do të duhej diskutuar veç e veç me shtetet anëtare të NATO-s për t’i bindur ato se Kosova si shtet ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet”.
Ai ka thënë se “nëse dikush ka menduar se mund të bëjmë diçka në aspektin e sigurisë së vendit pa NATO-n dhe SHBA-të e ka pasur shumë gabim”.
“Po të mos e kishim këtë aventurën e propozim ligjit do të na duhej trefish më pak punë për themelimin e ushtrisë.
Deda ka kritikuar rëndë edhe veprimin e Thaçit që kishte folur me Vuçiqin për ushtrinë e Kosovës.
“Ka folur me Vuçiqin, e le që s’ka folur me LDK-në [që e ka partner në koalicion v.j.] por as me partitë e tjera në Kosovë. Thaçi është njeriu që e ka shkatërruar konsensusin politik në vend, dhe ai nuk di ta krijojë atë. Edhe Mustafa ka qëndruar jashtë sepse është zënë në befasi, ashtu si ne që jemi zënë në befasi”, ka thënë Deda.
Në fund po del që vizita e Hoyt Brian Yee ka qenë vendimtare në bindjen që të tërhiqet nga kjo mënyrë e themelimit të ushtrisë. Deda që ka qenë në mesin e disa deputetëve që ka takuar zyrtarin e lartë amerikan, ka thënë se aty është diskutuar për prioritetet e Kosovës.
“Ekonomia që duhet të zhvillohet, për luftën ndaj korrupsionit, është diskutuar çështja e demarkacionit. SHBA është që të kalojë demarkacioni dhe është diskutuar edhe për Ushtrinë”, ka thënë ai.
“E vetmja mënyrë tash është që të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Duhet të ndërtohet konsensusi në Kosovë, nuk duhet vetëm përkrahja e SHBA-së. Ne sot kemi shtete të NATO-s që kanë njohur Kosovën, por janë kundër Ushtrisë së Kosovës. Duhet diplomacia ta bëjë punën e vet. Ne jemi të varur prej NATO-s. Jemi të varur nga SHBA-ja. Nëse duam të jemi pjesë e NATO-s duhet koordinuar që ata të dinë për çdo veprim. Më duket që jemi çoroditur pak viteve të fundit”, ka thënë tutje Deda.
Deda ka komentuar edhe deklaratën e Thaçit, që ka thënë se do të komunikojë me përfaqësuesit serbë, por sipas Dedës kjo nuk është ajo kërkohet nga Kosova.
“Kërkohet që të gjitha partitë politike shqiptare ta kenë një grup të përbashkët për të vizituar vendbanimet serbe në Kosovë. Duhesh me fitu kredibilitetin para ndërkombëtarëve. Aty duhet pajtim i partive politike. Qeveri dhe opozitë për rrugëtimin e FSK-së në Ushtri. Pushteti duhet të marrë përsipër konsensusin”.