Irani është deklaruar për herë të parë për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria.
Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, ka dënuar veprimin e Shqipërisë, duke thënë se Irani “shpreson që Shqipëria do të rikonsiderojë” këtë veprim.
“Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë do të rikonsiderojë çështjen dhe të parandalojë afektimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nga një palë e tretë”, citon agjencia iraniane e lajmeve “irna” të ketë thënë Mousavi.
“Ndiejmë se qeveria shqiptare ka bërë disa gabime dhe i ka bërë ato pa ndonjë dëshmi. E dënojmë këtë veprim dhe shpresoj që qeveria e Shqipërisë do të kthehet në rrugën e duhur”, citon më tej “RT” të ketë thënë Mousavi, transmeton Koha.net.
Kujtojmë se, nën masa të forta sigurie dhe në sekret të plotë, oficerët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe SHISH në Shqipëri, mbrëmjen e të shtunës dëbuan diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.
Edhe
Irani e cilëson të gabueshme rrugën e Shqipërisë
Burime të TopChannel thanë se 20 oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit shoqëruan të dy diplomatët së bashku me familjet e tyre nga apartamentet ku banonin në drejtim të aeroportit të Rinasit.
Disa ditë më parë, Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme tha se dy diplomatët iranianë shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.