Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies është vlerësuar nga komuniteti shkollor si çështje për të cilën lypset ndërhyrje më urgjente nga niveli qendror, sesa ndryshimi i udhëzimit administrativ për lejimin e mbartjes së mbulesës në institucionet arsimore. Njohës të arsimit njëkohësisht kanë kërkuar rishikim të teksteve shkollore e formim të mekanizmave për vlerësimin e mësimdhënësve.
Cilësia e teksteve shkollore e vlerësimi i performancës së mësimdhënësve janë vlerësuar si disa nga çështjet në të cilat ka nevojë për ndërhyrje më urgjente nga institucionet përgjegjëse, në kohën kur në Kosovë është riaktualizuar debati për shaminë.
Skënder Halimi, drejtor në shkollën fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, ka deklaruar se vëmendja e institucioneve qendrore duhet të kthehet në përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie.
“Duhet ta dimë se të gjithë jemi fajtorë, si shkollë, si familje, si institucione. Puna e mësimdhënësve, veçanërisht vlerësimi profesional i mësimdhënësve, prapë mbesin mbrapa, shumica e mësimdhënësve kanë përfunduar një trajnim që është bazik, gjashtëditor, dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë të domosdoshme dhe për një punë më efikase”, ka thënë ai.
Përputhja e planprogramit me tekstet shkollore, sipas Halimit, është e nevojshme për rritjen e cilësisë në arsim.
“Pritshmëritë kanë qenë të mëdha prej neve si staf dhe mësimdhënësve se më në fund do të kemi tekste shkollore cilësore, mirëpo nëse ndalemi dhe i analizojmë, prapë shohim se ka shumë lëshime, tekstet e reja, shumica prej tyre, lënë shumë për të dëshiruar”, ka thënë ai.
Drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë se deri më tani reformat e ndërmarra në arsim kanë qenë sipërfaqësore. Ka shtuar se kjo është duke rezultuar në humbjen e perspektives për të rinjtë.
"Ndryshimi i pritur në arsim merr trajtë të duhur, vetëm kur instalohen mekanizma të mirëfilltë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies, pra kur identifikohen dhe thirret në përgjegjësi implementuese në të gjitha nivelet. Ne na nevojiten reformat që prekin drejtpërdrejt mësimdhënien në klasë”, ka thënë ai.
Institucionet parauniversitare përballen edhe me problemin e hapësirave të pamjaftueshme. Në lidhje me këtë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së hënë.
Me gjithë këto probleme, javëve të fundit bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi. Me një mobilizim nëpërmjet rrjeteve sociale është kërkuar ndryshimi i legjislacionit, ku vajzave nën moshën 18-vjeçare u ndalohet bartja e mbulesës në institucionet parauniversitare.
Sipas sociologut Jeton Brajshori, shoqëria kosovare ka probleme në zgjedhjen e prioriteteve. Ai ka shtuar se fokusi i qytetarëve duhet të jetë në rritjen e mirëqenies së të rinjve.
"Te ne zakonisht temat që janë më primare ato gjithmonë shkojnë të fundit. Për këtë arsye temë primare për ne do të kishte qenë që rinia të jetë më e avancuar dhe të ketë një edukim më cilësor, rinia të ketë liberalizim të vizave, ku mund të shkojnë në Evropë, të shkëmbejnë kultura të ndryshme, të kthehen dhe të sjellin përvoja të ndryshme", ka thënë ai.
Mbi 18 mijë nënshkrime janë mbledhur në peticionin për ndryshimin e udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, e i cili e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla të mesme e të larta.
MASHTI njoftoi se janë duke shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit të udhëzimit administrativ “Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta”, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.
Për këtë çështje edhe niveli qendror është pozicionuar pro ndryshimit të udhëzimit administrativ. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se elementet fetare nuk duhet të jenë pengesë në jetën e qytetarëve, porse ka shprehur qëndrimin se për përdorimin e tyre duhet të ketë një prag.
“Qëndrimin tim e kam thënë para shumë vjetëve e qëndrimi është se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, ka thënë ai.
Ndryshe është deklaruar të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë orientim parësor i institucioneve për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
“Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fondamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues, ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Kosovës të respektohet ky parim”, ka thënë ajo.
*Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.