Megjithëse kushtetuta e vendit ndalon diskriminimin fetar dhe garanton lirinë e besimit, legjislacioni i vendit nuk ofron mundësinë për grupet fetare që të fitojnë status ligjor, thuhet në raportin për liritë fetare të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Në raport, përmenden rastet ku pati raportime për diskriminim. Aty thuhet se Policia i ndaloi Kishës Ortodokse Serbe mbajtjen e liturgjisë në një kishë të kontestuar dhe në disa shkolla të vendit vazhdoi zbatimi i një udhëzimi të qeverisë për ndalimin e veshjeve fetare, duke ua ndaluar kështu qasjen në mësimdhënie nxënëseve që mbajnë hixhab. Pati raportime për diskriminim edhe në vende publike apo në mjediset e punës ndaj grave myslimane që mbajnë veshje fetare.
Theksohet edhe rasti i pronës së Kishës Ortodokse Serbe rreth Manastirit të Deçanit.
"Qeveria e Kosovës vazhdon të mos zbatojë një vendim të gjykatës të vitit 2016 për njohjen e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe të zonës përreth Manastirit të Deçanit, ndërsa Kisha Protestante Evangjeliste e Kosovës, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për varreza të dedikuara ua mohoi të drejtën e varrimit sipas besimit të tyre".
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka inkurajuar qeverinë e Kosovës që të hartojë legjislacionin që do t’u mundësojë grupeve fetare marrjen e statusit ligjor, që do të krijonte mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit dhe do të zgjidhte mosmarrëveshjet për pronësinë. Në një prej takimeve ndërfetare të ambasadës amerikane, për herë të parë u përfshinë drejtues të tarikateve, bektashinjve dhe të tjerë./ VOA